26/09/2026
Dje, ndërsa shihja në Teatri Kombëtar “Muzgun e qershive”, të sjellë në kontekst kulturor e social, mjeshtërisht nga Driada Dervishi mendova për babëzinë.
Për atë lloj të menduari që nuk vjen nga mendja, por nga stomaku.
Dhe m’u kujtua një histori e shumë viteve më parë, kur djali im ishte vetëm 3 vjeç.
Isha duke u shpërndarë fruta fëmijëve në kopsht. Atë ditë kishim shalqi.
Kur erdhi radha e tim biri, ai zgjodhi një copë të vogël. Aq sa i duhej. Aq sa kishte gojën.
Dhe unë reagova instinktivisht:
— Po pse aq të vogël, mi mam?!
Lira Gjika, që ishte aty, ndërhyri:
— Ai nuk është as skllav, as lypsar, që të mendojë se duhet të marrë copën më të madhe, se më pas nuk do të ketë më, apo do t’ia marrin të tjerët.
Patjetër që biseda jonë vazhdoi shumë më gjatë se kaq. Por ajo fjali më ka mbetur.
Ndoshta sepse atë ditë mora një nga mësimet e mia të para, të vërteta, mbi edukimin.
Unë po shihja një copë të vogël shalqiri dhe po mendoja “merr më shumë”.
Ai po shihte një copë shalqiri dhe po mendonte thjesht “kjo është për gojën time”.
Sa gjëra u mësojmë fëmijëve kështu, pa e kuptuar.
Merr më të madhen.
Ha edhe pak.
Mos e lër.
Merre tani se pastaj nuk ka.
Ruaje tënden.
Mos ia jep.
Fjali të vogla, të pafajshme në dukje, që ndonjëherë mbajnë brenda gjithë historinë tonë me MUNGESËN, FRIKËN, NGOPJEN dhe ZOTËRIMIN.
E kështu mu rikthye pyetja se çfarë është, në të vërtetë, edukimi.
Ushqimi nuk është vetëm mbushje stomaku.
Është një nga vendet e para ku njeriu mëson të dëgjojë veten:
Kam uri.
Nuk kam më uri.
Këtë dua.
Kaq më mjafton.
Aty takohen trupi, emocioni, mendimi, respekti dhe vullneti për të qenë.
Dhe ndoshta edukimi i vërtetë ndodh pikërisht në këto detaje të vogla.
Te fjala që na del pa menduar.
Te ndërhyrja që bëjmë sepse “dimë më mirë”.
Te çasti kur, me gjithë dashurinë tonë, rrezikojmë t’i mësojmë fëmijës të mos dëgjojë më veten, por ne.
Dje, pas shumë vitesh, ajo copë e vogël shalqiri m’u kthye përsëri në mendje, në teatër.
Dhe bashkë me të, edhe një bindje që sot e kam shumë më të qartë:
Edukimi nuk është t’i tregojmë fëmijës, pas çdo veprimi, si duhet të sillet.
Nuk është një varg leksionesh për ta drejtuar te versioni që kemi menduar ne për të.
Edukim është të arrijmë ta respektojmë fëmijën (njeriun) si person.
Një person që, që nga dita kur lind, ka të drejtën të ndërtojë marrëdhënien e vet me trupin, dëshirat, zgjedhjet, kufijtë dhe jetën e tij.
Ne nuk kemi për detyrë t’ia jetojmë jetën.
Ndoshta kemi një detyrë shumë më të vështirë:
Të mos ia zëmë rrugën drejt vetes.
(LDuro)