22/04/2026
Ditën e hënë, datë 20 prill 2026, në mjediset e Universitetit Politeknik të Tiranës, Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Znj. Catherine Suard i dorëzoi Prof. Dr. Andrea Maliqarit dekoratën franceze më të vjetër civile «Palmat Akademike». Gjatë ceremonisë, në një moment solemniteti, Ambasadorja e Francës në Shqipëri, përshkroi karrierën e Prof. Dr. Andrea Maliqari, duke filluar nga vitet 1994 –1998, kur studionte në Shkollën e Arkitekturës së Normandisë dhe në École Nationale des Ponts et Chaussées (Shkolla Kombëtare e Urave dhe Rrugëve), në të cilën ka qenë edhe profesor i ftuar për një vit.
Profesor Andrea Maliqari, në Universitetin Politeknik të Tiranës, ka mbajtur në vijueshmëri pozicionet e Përgjegjësit të Departamentit të Arkitekturës dhe Planifikimit Urban, Dekanit të Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, më pas Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës, nga viti 2016 deri në vitin 2024, duke mbajtur ndërkohë postin e Këshilltarit për Ndërkombëtarizimin pranë Rektorit. Gjatë gjithë kësaj karriere të shkëlqyer dhe të përmbushur, ai ka punuar vazhdimisht për të krijuar dhe zhvilluar partneritete të strukturuara me institucionet franceze të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, ndër të tjera, Shkollën Speciale të Punëve Publike, Universitetet e Poitiers dhe Orléans dhe, pika më kulminante, Universitetin e Teknologjisë të Compiègne (UTC). Në fjalën e saj, Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Znj. Catherine Suard, ndër të tjera theksoi se Prof. Andrea Maliqari është një aktor determinant, një nga më të çmuarit, e bashkëpunimit franko-shqiptar në fushat e arsimit të lartë dhe të frankofonisë.
Titulli “Kalorës i Urdhrit të Palmave Akademike” (frëngjisht: Chevalier de l’Ordre des Palmes académiques) është një dekoratë shtetërore franceze me shumë prestigj, e dhënë për kontribute të veçanta në arsim, kulturë dhe shkencë. Urdhri Ordre des Palmes académiques është një nga dekoratat më të vjetra në Francë, i krijuar fillimisht nga Napoléon Bonaparte në vitin 1808 për të nderuar profesorët e Universitetit të Parisit. Sot ai jepet nga Ministria e Arsimit e Francës.