19/12/2021
Ese
Agnesa Zymeri
Altruist apo egoist
Jeta e njeriut është një dimension pa fund. Ajo është një galaksi me plot yje. Radhitjen e këtyre yjeve e përcakton njeriu, ashtu siç zgjedh rrugën e së mires apo të së keqes. Personaliteti i tij është si një monedhë me dy anë të kundërta, njëra e ndritur, tjetra e errët.
Të zgjedhësh anën e së mirës do të thotë një hap përpara në jetë. Të ndihmosh dikë është një gjë humane që jo çdokush e bën. Zemra e pastër e njeriut varet nga ndjenjat dhe emocionet me të cilat ai e ushqen mendjen e tij. Zemrat e pastra përkulen para çdo nevoje njerëzore ndërsa zemrat e varfra ushqehen me sadizëm. Egoizmi mund të jetë fenomeni më i keq i përmendur, ndryshe nga altruizmi. Zbrazëtia morale kundër përmbushjes shpirtërore. Njeriu në fund zgjedh se cilën anë dëshiron, dritën apo errësirën, diellin apo skëterrën. Një njeri altruist sheh botën ndryshe. Ai sheh botën sikur një kopsht me lule. Edhe lotët e tij ai i përdor për t’i ujitur këto lule. Inatin më të madh e kthen në rreze të diellit dhe i ngroh lulet. Një njeri egoist nuk sheh asgjë nga këto, sepse është i verbuar nga ambiciet e kota. Për të një kopsht me lule ngjason më shumë me një kopsht me therra. Synimet e tij të pakuptimta dërgojnë shoqërinë në humnerë, madje ai, as nuk përpiqet të ndihmojë dikë që të dalë nga ajo humnerë. Ndoshta kjo është diferenca njerëzore. Dikush kujdeset e të tjerët rrinë duarkryq.
Në fund secili individ përgjigjet për veprimet e veta, por nuk mund të hipim në majë duke shkatërruar shkallët, ashtu siç nuk mund të arrijmë sukses duke dëmtuar dikë.