09/04/2021
Shkolla e mesme ‘Llesh Nik Daka’ në Shënkoll të Lezhës, e cila mbeti e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, e rindërtuar me një fond prej 3.2 milionë eurosh dhe afat përfundimi 26 nëntorin e vitit që lam pas, nuk i ka hapur dyert ende për 650 nxënësit e saj. Punimet për këtë shkollë kanë filluar në qershor të 2020 dhe janë inspektuar 3 herë nga kryeministri Rama.
Për Fax News banorët e zonës shprehen se ngërçi ekziston mes mes Bashkisë dhe drejtorisë arsimore, pasi nuk është kryer ende dorëzimi nga firma e ndërtimit. Sipas banorëve shkolla ka ende mungesa për shkak të cilësisë së ulët të punimeve.
“Shkolla rri bosh. Vetëm çelësat mungojnë, por Bashkia e Rrëshenit ka shumë punë. Mësuesit thonë që këto ditë mund të hapet, para votimeve.” , u shpreh një qytetar.
Gjatë inspektimeve të punimeve në 29 korrik të 2020, kryeministri Rama dha direktivat e tij ndaj inxhinierëve në terren, duke iu kujtuar dhe afatin se shkolla duhet të jetë gati në 26 nëntor.
“Më 26 nëntor duhet të hapni dyert, nuk e di, punon me 4 turne, duhet të jetë e përfunduar.”
Vizita e Ramës në këtë shkollë vijoi edhe në nëntor të 2020, ku përmes postimeve në rrjete sociale njoftoi se punimet në shkollën e Mesme e Bashkuar “Llesh Nik Daka” në Lezhë, nga 3D ishin kthyer në realitet sipas standardeve europiane. Dyert e kësaj shkolle sërish nuk u hapën në datën e përcaktuar. Me tej kryeministri Rama në 4 dhjetor inspektoi punimet e përfunduara së bashku me ministrin e shtetit për Rindërtimin, ku falenderoi inxhinierët për shpejtësinë e punimeve.
“Na keni nderuar me shpejtësinë dhe cilësinë.”
Në zonat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 janë 143 shkolla pjesë e programit të rindërtimit sipas standardeve europiane.