14/09/2026
MESAZH URIMI PËR FILLIMIN E VITIT TË RI SHKOLLOR
Të dashur nxënës, prindër, mësues dhe pjesëtarë të familjes sonë të shkollës,
Sot hapim së bashku një faqe të re. Çdo vit shkollor sjell emocione, fillime të reja dhe shumë ëndrra për të ardhmen.
Një urim i veçantë shkon për vogëlushët e klasave të para, që hedhin hapat e tyre të parë në shkollë, për nxënësit e klasave të gjashta, që nisin një etapë të re, si dhe për nxënësit e klasave të nënta, të cilët përjetojnë vitin e fundit në shkollën tonë dhe përgatiten për një rrugëtim të ri. Një mirëseardhje e veçantë shkon edhe për të gjithë nxënësit e rinj që i bashkohen këtë vit shkollor familjes sonë. Ju urojmë të ndiheni sa më shpejt pjesë e saj, të krijoni miqësi të reja dhe të përjetoni momente të bukura në shkollën tonë. Një përshëndetje e përzemërt shkon edhe për ish-nxënësit tanë që kanë nisur klasën e dhjetë – ju mbeteni gjithmonë pjesë e historisë sonë.
Mirë se erdhët edhe mësuesve të rinj, të cilët i bashkohen familjes sonë shkollore, si dhe falënderim për mësuesit, stafin mbështetës, rojen dhe sanitaret, që me përkushtimin e tyre bëjnë të mundur që shkolla jonë të jetë një vend i sigurt, i pastër dhe mikpritës.
Të dashur nxënës, mos kini frikë të ëndërroni, të përpiqeni dhe të besoni te vetja. Shkolla nuk është vetëm vendi ku marrim dije, por edhe vendi ku mësojmë të respektojmë, të bashkëpunojmë dhe të bëhemi njerëz më të mirë.
Le ta nisim këtë vit me një angazhim të përbashkët: të mos lëmë askënd pas, të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të punojmë së bashku për një shkollë edhe më të mirë.
Sepse një shkollë e mirë nuk ndërtohet vetëm me libra dhe programe; ajo ndërtohet nga njerëzit që e duan dhe kujdesen për të.
Ju uroj nga zemra një vit të ri shkollor të mbarë, të suksesshëm dhe plot arritje!
Mirë se u rikthyem në shtëpinë tonë të përbashkët!
Me respekt,
Enedi Ktona
Drejtor