07/06/2016
Besmir Cacani عثمان الألباني:
A lejohet t’i falim Taravitë duke dhënë selam për çdo katër rekate? A është në përputhje me Sunetin kjo?
Nga shejh Muhamed ibën Salih el Uthejmin
Përgjigja: njeriut nuk i lejohet të falë namazin e Taravive katër rekate me një selam, sepse kjo është në kundërshtim me udhëzimin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Kur është pyetur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për namazin e natës, ai është përgjigjur duke thënë:
صلاة الليل مثنى مثنى
“Namazi i natës është dy rekate, dy rekate.” Dmth se forma e saj fetare dhe e ligjëruar është nga dy rekate pa bërë shtesa. Për këtë, imam Ahmedi Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Nëse ngrihet për të falë rekatin e tretë –dmth në namazin vullnetar të natës – është sikur të jetë ngritur të falë rekatin e tretë në sabah”, dmth po të ngrihej për të falë rekat të tretë në sabah, ai namaz do të ishte i pavlefshëm (batil), e njëjtë është edhe po të ngrihej për rekat të tretë në namazin e natës; ai do të ishte i pavlefshëm (batil) nëse e bën me qëllim. E nëse e bën në harresë, atëherë rikthehet kur të kujtohet, jep selam dhe bën dy sexhde harrese.
Disa njerëz kanë menduar se bashkimi i katër rekateve me një selam është aluduar në hadithin e Aishes radijAllahu anhe, kur u pat pyetur rreth namazit të natës së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në Ramazan, dhe është përgjigjur: “Ai gjatë Ramazanit dhe jashta tij, nuk shtonte mbi njëmbëdhjetë rekate. Falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, më pas, ai falte katër, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, e më pas ai falte tre.” Disa njerëz kanë menduar se thënia e saj “katër”, dmth me një selam. Mirëpo, çështja nuk qëndron ashtu, sepse është vërtetuar nga vetë ajo, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem falte njëmbëdhjetë rekate, ku për çdo dy rekate jepte selam.
Duke u bazuar mbi këtë, kuptimi i thënies së saj “falte katër, pastaj katër” është se i falte ato katër me dy selame, pastaj pushonte pak, më pas vazhdonte falte katër rekate me dy selame, e më pas pushonte përsëri pak, në fund falte tre rekate. Fjalët e saja të përgjithshme, shpjegohen prej fjalëve sqaruese, mirëpo këtu bën përjashtim vitri. Nëse njeriu fal tre rakate vitër, atij i lejohet të japë selam pas dy rekateve, dhe i lejohet t’i falë të gjitha me një selam dhe me një teshehud. Nëse fal pesë rekate vitër, mund t’i falë të gjitha me një teshehud dhe një selam. E njëjta vlen nëse fal shtatë. Poashtu nëse fal nëntë rekate vitër, mund të falë tetë përnjëherë, më pas ulet në të tetin për të bërë teshehudin mirëpo nuk jep selam, pastaj fal rekatin e nëntë, bën teshehudin dhe jep selam. Ky është një përjashtim.
Pra, përveç rastit që është bërë përjashtim, nëse ngrihet për në rekat të tretë e më pas i kujtohet, ai kthehet për të bërë teshehudin edhe nëse e ka lexuar Fatihanë, jep selam dhe pastaj bën dy sexhde harrese.
Burimi: http://binothaimeen.net/content/11667
Përktheu: Besmir Cacani
—------—
http://telegram.me/ForumiSelefiNet/