08/04/2014
Në vitet 1912-1921 u pushtua nga serbët, bullgarët dhe austriakët. Mori pjesë në luftërat kundër forcave serbe në vitet 1912-1913. Shumë banorë të tij u masakruan nga forcat serbe. Në vitin 1921 deputeti i parë i Kukësit zgjidhet Mustafë Lita. Deri në vitin 1922, kur përfshihet në Prefekturën e Kosovës, ishte një qendër e vogël ku hani ishte institucioni më i madh publik. Në vitin 1923 u bë qendër krahinore me 28 shtëpi e 186 banorë. Në zgjedhjet e vitit 1923, fiton grupi i majtë me përfaqësues Avni Rustemin. Sulmohet më 16 Qershor 1924 nga forcat kryengritëse të Bajram Currit. Rimerret nga forcat qeveritare të Muharrem Bajraktarit në dhjetor 1924. Në Gusht 1925, shpallet qendër e Prefekturës duke zëvendësuar Krumën e Hasit. Në këtë periudhë, popullsia e Kukësit shtohet në mënyrë të konsiderueshme me ardhjen e qindra familjeve nga Gjakova dhe Prizreni. Ata sjellin me vete tregtinë dhe tradita të reja gatimi e shërbimi, e shumë zeje.[3] Gjatë kësaj kohe vijnë dhe shumë familje nga Gora. Në fillimin e viteve 30 shpallet bashki.
Në vitin 1935 shpërthen në Kukës, kryengritja anti-zogiste e drejtuar nga Muharrem Bajraktari. Shtypet me dhunë nga forcat qeveritare. Qyteti gjallërohet nga institucionet shtetërore, shkolla, shoqëria sportive Kosova, banda muzikore, enti kulturor Djelmnia Shqiptare, një rrjet shërbimesh publike dhe pazari i së dielës. Në mes të qytetit ngrihen ndërtesa e Prefekturës, busti i Mbretit Zog (zëvendësohet me bustin e Skënderbeut në vitin 1939), një lulishte dhe një pus. Fillon e merr pamje urbane. Në vitin 1938 kishte 1800 banorë.
Pushtohet i fundit nga Italia Fashiste, më 14 Prill 1939. Në vitin 1940 lidhet me Shkodrën me rrugë automobilistike. Po në këtë vit rikthehet në Shqipëri Muharrem Bajraktari i cili drejton rezistencën e armatosur antifashiste në Kukës. Në Shtator 1943 Muharrem Bajraktari në krye të 2500 forcave e çliron nga pushtimi italian. Disa ditë më vonë mbërrijnë pushtuesit gjermanë. Fillon aktivitetin e vet celula e parë komuniste. Në Gusht 1944, me provokimin e forcave partizane shpërthen në Kukës, lufta civile.
Më 18 Nëntor 1944, forcat gjermane largohen nga qyteti dhe hyjnë forcat partizane të Brigadës XVIII sulmuese. Në dhjetor 1944 vendoset administrata e re e Prefekturës. Rindërtohet ura mbi Drinin e Zi. Rihapet tregu. Hapet Shtëpia e Rinisë. Fillon punën spitali civil. Në vitin 1946, qyteti furnizohet me dritë elektrike me anën e një motori tanku të adaptuar. Lidhet me rrugë automobilistike me Peshkopinë. Hapen shkolla unike dhe konvikti. Krijohen ndërmarrja tregtare dhe kooperativat artizanat, konsum dhe sh*tblerje. Në vitin 1949, krijohet dega e Bankës Shtetërore. 1950-1962 rritet ndjeshëm popullsia me banorë të ardhur nga fshatrat. Hapet Shtëpia e Kulturës. Në vitin 1954 fillon punën kinemaja. Në vitin 1956, hapet gjimnazi. Në vitin 1958 ndërtohet ujësjellësi. Në vitin 1959, krijohet estrada profesioniste, kurse në vitin 1960 ngrihet Radio Kukësi dhe hapet shkolla pedagogjike 2-vjeçare. Fillon punën biblioteka e qytetit. Ngrihen Muzeu lokal dhe teatri i kukullave në vitin 1960. Niveli ekonomik i qytetarëve mbetej i ulët. Më 31 mars 1962 u vendos përmbytja e Kukësit të Vjetër dhe ndërtimi i Kukësit të Ri. Më 22 korrik 1962 filluan punimet për ndertimin e Kukësit të ri. Fillon jeta paralele e dy qyteteve. Në 1970 Kukësi kishte 6073 banorë. Në 1978 Kukësi i Vjeter ua la vendin ujërave të liqenit të Fierzës.