14/09/2025
𝐊𝐑𝐄𝐌𝐓𝐈𝐌𝐈 𝐈 𝐋𝐀𝐑𝐓𝐄̈𝐒𝐈𝐌𝐈𝐓 𝐓𝐄̈ 𝐊𝐑𝐘𝐐𝐈𝐓 𝐓𝐄̈ 𝐍𝐃𝐄𝐑𝐔𝐀𝐑 (𝟏𝟒 𝐒𝐇𝐓𝐀𝐓𝐎𝐑)
Lartësimi i Kryqit, kremtuar më 14 shtator, përkujton gjetjen e Kryqit të Krishtit nga Shën Elena, nëna e perandorit Konstandin, në shekullin IV dhe, pasi u morë nga persianët, rimarrjen e tij nga perandori Irakli, në shekullin VII, kur ai u "lartësua" në Kishën e Ngjalljes në Jerusalem.
Nga kjo ngjarje e fundit "lartësimi universal" i Kryqit filloi të kremtohej çdo vit në të gjitha Kishat e perandorisë. Dita e Lartësimit të Kryqit u bë festa kombëtare e Perandorisë së Krishterë të Lindjes, siç janë sot festat kombëtare të vendeve të ndryshme. Kryqi, emblema zyrtare e perandorisë, që vendosej në të gjitha ndërtesat publike dhe në uniformat, ngrihej në këtë ditë zyrtarisht nga peshkopët dhe priftërinjtë. Ata bekonin me kryqin katër pikat e horizontit, ndërkohë që populli përsëriste "Mëshiro o Zot". Ky ritual bëhet akoma edhe sot në disa Kisha, mbas paraqitjes dhe lartësimit të Kryqit, mbas Dhoksologjisë së Madhe të Mëngjesores, ose mbas Meshës Hyjnore.
Përlëshorja (Tropari) i festës, e cila ishte si "himni kombëtar", këndohej në të gjitha rastet festive të Perandorisë së Krishterë të Lindjes. Fillimisht i kërkohej Perëndisë të shpëtonte popullin, t’u dhuronte fitore në luftë dhe të ruante perandorinë "me fuqinë e kryqit". Sot, në shumë Kisha, tropari dhe shumë himne të festës janë "shpirtërizuar"; "barbarët" janë kështu të ligjtë shpirtërisht e mëkatarët, përfshirë këtu djallin dhe ushtrinë e tij dhe "të krishterët orthodhoksë" zëvëndëson emrin e sundonjësve zyrtarë të perandorisë.
𝑂 𝑍𝑜𝑡, 𝑠ℎ𝑝𝑒̈𝑡𝑜 𝑝𝑜𝑝𝑢𝑙𝑙𝑖𝑛 𝑡𝑒̈𝑛𝑑 𝑑ℎ𝑒 𝑏𝑒𝑘𝑜𝑗𝑒 𝑡𝑟𝑎𝑠ℎ𝑒̈𝑔𝑖𝑚𝑖𝑛 𝑡𝑒̈𝑛𝑑. 𝐷ℎ𝑢𝑟𝑜𝑗𝑢 𝑠ℎ𝑝𝑟𝑒𝑠𝑒̈𝑡𝑎𝑟𝑒̈𝑣𝑒 𝑓𝑖𝑡𝑜𝑟𝑒 𝑚𝑏𝑖 𝑏𝑎𝑟𝑏𝑎𝑟𝑒̈𝑡 𝑑ℎ𝑒 𝑟𝑢𝑎𝑗𝑒 𝑠ℎ𝑡𝑒𝑡𝑖𝑛 𝑡𝑒̈𝑛𝑑 𝑚𝑒 𝑎𝑛𝑒̈𝑛 𝑒 𝐾𝑟𝑦𝑞𝑖𝑡 𝑡𝑒̈𝑛𝑑 (𝑇𝑟𝑜𝑝𝑎𝑟𝑖).
𝑇𝑖 𝑞𝑒̈ 𝑢 𝑛𝑔𝑟𝑖𝑡𝑒 𝑚𝑏𝑖 𝐾𝑟𝑦𝑞𝑖𝑛, 𝑑𝑢𝑘𝑒 𝑑𝑎𝑠ℎ𝑢𝑟, 𝑠ℎ𝑡𝑒𝑡𝑖𝑡 𝑡𝑒̈ 𝑟𝑖 𝑡𝑒̈ 𝑡ℎ𝑒𝑚𝑒𝑙𝑢𝑎𝑟 𝑝𝑟𝑒𝑗 𝑡𝑒𝑗𝑒, 𝑑ℎ𝑢𝑟𝑜𝑗𝑢 𝑘𝑢𝑟𝑑𝑜ℎ𝑒𝑟𝑒̈ ℎ𝑖𝑟, 𝑜 𝐾𝑟𝑖𝑠ℎ𝑡 𝑃𝑒𝑟𝑒̈𝑛𝑑𝑖, 𝑗𝑒𝑝𝑖 𝑓𝑜𝑟𝑐𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑔𝑒̈𝑧𝑖𝑚, 𝑝𝑜𝑝𝑢𝑙𝑙𝑖𝑡 𝑑ℎ𝑒 𝑠ℎ𝑡𝑒𝑡𝑖𝑡 𝑡𝑜𝑛𝑒̈, 𝑓𝑎𝑙𝑖 𝑓𝑖𝑡𝑜𝑟𝑒 𝑒 𝑡𝑟𝑖𝑢𝑚𝑓 𝑛𝑒̈ 𝑐̧𝑑𝑜 𝑙𝑢𝑓𝑡𝑒̈ 𝑚𝑏𝑖 𝑎𝑟𝑚𝑖𝑞𝑡𝑒̈; 𝑗𝑖 𝑔𝑗𝑖𝑡ℎ𝑚𝑜𝑛𝑒̈ 𝑏𝑎𝑠ℎ𝑘𝑒̈𝑙𝑢𝑓𝑡𝑒̈𝑡𝑎𝑟, 𝑎𝑟𝑚𝑒̈ 𝑝𝑒̈𝑟 𝑝𝑎𝑞𝑒, 𝑡𝑟𝑜𝑓𝑒 𝑒 𝑝𝑎𝑚𝑢𝑛𝑑𝑢𝑟 (𝑆ℎ𝑘𝑢𝑟𝑡𝑜𝑟𝑗𝑎).
Dita e shenjtë e Lartësimit të Kryqit, ndonëse ka një origjinë të dukshme "politike", ka edhe sot një vend dhe rëndësi të madhe në Kishën Orthodhokse. Ajo është për ne një ditë agjërimi dhe lutje, një ditë që na kujton se Kryqi është e vetmja shenjë e vlefshme e gjithë besnikërisë sonë dhe që shpëtimi ynë vjen jo nga "fitoret" e gjërave tokësore, por nga e vetmja fitore e vërtetë dhe e përhershme e kryqëzimit të Krishtit dhe e bashkëkryqëzimit tonë me të. Kur ne ngremë Kryqin dhe përulemi para tij në nderim dhe adhurim ndaj Perëndisë, ne shpallim se i përkasim Mbretërisë "jo të kësaj bote" dhe se qytetaria jonë e vërtetë dhe e përhershme është me shenjtorët në "qytetin e Perëndisë" (Efesianët 2:19; Hebrejtë 11:10; Zbulesa 21-22).
Këndimi i parë në Mbrëmësore nga Dhiata e Vjetër flet për "drurin", i cili e shndërroi ujin e hidhur në të ëmbël - simbol i Drurit të Kryqit (Eksodi 15:22-16:1).
Këndimi i dytë na kujton se Zoti i qorton dhe i ndëshkon ata që i do dhe se Urtësia Hyjnore është "një Dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje, si në Zotin" (Fjalët e Urta 3:11-18). Përsëri referenca është për Kryqin, i cili është, si edhe Apostulli i ditës e proklamon "për ata që janë thirrur... fuqia e Perëndisë dhe urtësia e Perëndisë" (1 Korinthianët 1:18-25).
Këndimi i tretë nga Dhiata e Vjetër prej Profecisë së Isaisë, flet për "qytetin e Zotit", ku Judejtë dhe Kombet do të jetojnë së bashku dhe "do të përulen" para nënkëmbëses së Perëndisë dhe "do të njohin që Unë Zoti jam Shpëtimtari yt dhe Çlironjësi yt, i Fuqishmi i Izraelit" (Isaia 60:11-16). Këtu, ne kemi referencën direkte të qytetit të Perëndisë, ku njerëzit do ta adhurojnë para nënkëmbëses së Tij; dhe së bashku me vargun e psalmit që përsëritet vazhdimisht gjatë shërbesës, duke na thirrur "të përulemi para nënkëmbëses së tij", ne kemi përsëri referencë për Kryqin e Shenjtë (Psalmi 99:5, 110:1 etj.).
Kryqit tënd po i falemi, o Krisht dhe Ngjalljen tënde të shenjtë lavdërojmë (Himn Nderimi para Kryqit). Ky himn qendror i Lartësimit të Kryqit, i cili zgjat në Kishë për tetë ditë, këndohet shumë herë. Ai zëvendëson në Meshë Himnin Trishenjtor. Antifonët e zakonshëm, gjithashtu, zëvendësohen me vargje të veçanta nga psalmet, që i referohen direkt Kryqëzimit të Krishtit (Psalmet 22, 74, 99).
Në Shërbesën e Mëngjesit, në këndimin e Ungjillit të Shën Joanit, Krishti thotë, se kur ai do ngrihet mbi kryq, do t’i tërheqë të gjithë tek ai (Joani 12:28-36). Ungjilli i gjatë që këndohet në Meshën Hyjnore është tregimi i pësimit, po nga ky Ungjill.
Kështu, në Lartësimin e Kryqit, të krishterët bëjnë zyrtarisht ripërkushtimin e tyre ndaj Zotit të kryqëzuar dhe i premtojnë një besnikëri të përhershme atij, duke adhuruar këmbët e tij të shenjta, të kryqëzuara në Kryqin jetëbërës. Ky është sot në Kishë kuptimi i kësaj dite të shenjtë agjërimi dhe pendimi.