09/07/2026
Sot, më 9 korrik 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, u zhvillua sesioni shkencor me temë “Prurje dhe qasje të reja metodologjike në studimet e sotme albanologjike”, organizuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë.
Në këtë veprimtari shkencore morën pjesë me kumtesat e tyre tre anëtarë të Departamentit të Gjuhësisë:
1. Prof. as. dr. Teuta Toska, Korpusi albanologjik si gur themeli për studime etnolinguistike. (Artan Haxhi, Krestomaci e albanologjisë II, ASH, Tiranë, 2025).
2. Dr. Aurela Basha, Shkolla si hapësirë e diskurseve. (Rafaela Marteta, Shkolla e (pa) përsosur... është më njerëzore, Tiranë, 2025).
3. Dr. Resul Telhaj, Kontributi i prof. Mehmet Çelikut në
sintaksën e shqipes dhe vendi i tij në raport me teoritë moderne strukturaliste, gjenerative dhe funksionale.
Veprimtaria vijoi me diskutime dhe reflektime mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërbrezor për zhvillimin e mëtejshëm të studimeve albanologjike dhe për konsolidimin e metodologjive bashkëkohore në kërkimin shkencor. Gjatë diskutimeve u nënvizuan nevoja e hapjes ndaj qasjeve të reja metodologjike, ndërthurja e përvojës së konsoliduar me prurjet e studiuesve të rinj, si dhe përballimi i sfidave të reja të kërkimit albanologjik.
Sesioni shkencor u përmbyll me vlerësimin e trashëgimisë së pasur albanologjike dhe të përvojës së krijuar ndër vite, si edhe me paraqitjen e përfundimeve kryesore të veprimtarisë.
www.akad.gov.al