18/03/2015
DEKLARATЁ PЁR SHTYP
Në respekt të studentëve dhe stafit akademik të UAMD, në respekt të medias dhe opinionit publik dhe në respekt të institucioneve dhe të transparencës, po bëj publike qëndrimin tim si Rektor i UAMD lidhur me lajmet abuzuese dhe denigruese që janë shpërndarë në media nga burime jo korrekte zyrtare dhe informale.
Ditën e Martë, në mediat vizive dhe të shkruara është përcjellë vizita e znj. Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit dhe e Sportit, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës.
Znj. Ministre, në vizitën e saj të parë në Universitet, kishte si objekt statusin administrativ të z. Elmaz Leci, Dekan i Fakultetit të Shkencave Politiko Juridike. Për statusin e Dekanit në fjalë, midis Universitetit dhe Ministrisë ka nje korrespondencë intensive shkresash zyrtare që nga data 01.12.2014 dhe deri 13.03.2015, për më tepër, ky status, është objekt gjykimi nga ana e Gjykatës Administrative Tirane dhe cdo veprim tjetër i bërë nga ana e universitetit do ishte në shkelje te Kodit të Procedurave Administrative.
Spekullimet për “burgosje”, “izolim” etj, janë të papranueshme dhe nuk kanë bazë të vertetë, megjithëse, siç rezultoi, janë ushqim i mirë për median sensasionale. E vërteta është vetëm një dhe e verifikueshme nga çdo individ e institucion i interesuar:
Z. Elmaz Leci, që nga momenti i pezullimit datë 27.11.2014, ka refuzuar të qëndrojë në zyrë me stafin akademik të Fakultetit të tij. Deri me datën 21.01.2015, pra për rreth dy muaj, ai nuk është paraqitur në vendin e punës me justifikime familjare. Më datë 22.01.2015, megjithë gjëndjen modeste të infrastukturës në Universitet, Dekanit iu vu në dispozicion një zyrë modeste funksionale, deri në sqarim përfundimtar të statusit të tij. Në këtë zyrë ai ka qëndruar vetëm tre (3) ditë, dy (2) ditë në janar dhe ditën kur Ministrja bashkë me mediat erdhi dhe e takoi. Pra, nëse ka shqetësim ligjor ai është dhe mbetet fakti se z. Leci, që nga data 23 Janar deri ditën që erdhi Ministrja nuk është paraqitur në Universitet kjo konfirmohet dhe nga justifikimet e paraqitura nga ana e tij për paaftësi shëndetësore.
Për pasojë, i gjithë trajtimi i përpunuar mediatik për “mbajtje peng” apo “izolim” të Dekanit Leci, janë dhe mbeten trillime dhe keqadashësi të qëllimshme për t’i dhënë ngjyra persekutimi një veprimi korrekt në zbatim të detyrimeve ligjore që ka çdo punëmarrës dhe punëdhënës.
UAMD ka standarde të larta korrektësie dhe funksionimi institucional, të konfirmuara vazhdimisht edhe nga institucioni ekzekutiv i arsimit. Brenda një universiteti me mbi 18 mijë studentë, ka ndodhur dhe mund të ndodhë që ndonjëherë të gjejnë hapësirë e mbështetje informale dhe individë të cilët përpiqen ta kthejnë postin, në funksion të personit, siç është rasti i Z.Leci, individë të cilët pasi përballen me faktet dhe argumentat kalojnë në rolin e viktimës.
Pavarësisht këtyre rrethanave dhe dëmtimit të imazhit mediatik për UAMD dhe drejtuesit e tij legjitimë të zgjedhur sipas ligjit, UAMD mbetet i gatshëm të ndërmarrë cdo hap të nevojshëm publik, ligjor dhe institucional për të provuar saktësinë e këtij informacioni dhe për të mbrojtur integritetin, profesionalizmin dhe parimet e lirisë akademike. Me këtë rast, ftoj median të bëj publike qëndrimin e UAMD me të njëjtin standard siç veproi me lajmin e prodhuar nga vizita e Ministres, si dhe publikisht garantoj studentët dhe mbarë opinionin publik, se UAMD ka qenë është dhe do të jetë tempull i dijes dhe tolerancës.
Rektori Prof. Dr. Mit'hat Mema