16/03/2026
Histori Suksesi
Ish-nxënësi i profilit Instalues Elektrik, Fation Miftari, sot i punësuar në KEDS, ndau përvojën dhe rrugëtimin e tij profesional me nxënësit e profilit të energjetikës dhe instalues elektrik.
Në këtë takim u bashkua edhe ish-nxënësi i shkollës sonë Agon Dina, tani mësimdhënës në shkollën tonë, duke dëshmuar se përkushtimi dhe puna e vazhdueshme hapin rrugë drejt suksesit.
Në aktivitet morën pjesë nxënësit e klasave 10, 11 dhe 12 të profilit të energjetikës dhe instalues elektrik, të cilët patën mundësi të dëgjojnë nga afër përvojat profesionale, sfidat dhe mundësitë që i presin në tregun e punës.
Ky takim ishte një motivim i madh për nxënësit, duke treguar se rruga nga bankat e shkollës drejt profesionit është e arritshme me përkushtim dhe pasion.
13/03/2026
🌍 Dita Ndërkombëtare e Numrit Pi – 14 Mars
Nxënësit e klasave të dhjeta, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Numrit Pi (π = 3.14…), zhvilluan aktivitete dhe aplikacione kreative për të prezantuar rëndësinë e këtij numri të veçantë në matematikë.
Përmes punës së tyre ata treguan njohuri, kreativitet dhe bashkëpunim të shkëlqyer, duke e shndërruar këtë ditë në një përvojë interesante dhe edukative. Aktivitetet dëshmuan se matematika mund të mësohet edhe në mënyrë kreative dhe frymëzuese.
Ky aktivitet ishte një mundësi e mirë për të nxitur te nxënësit dashurinë për matematikën, mendimin kritik dhe kreativitetin. 📐📊
06/03/2026
Për nder të 7 Marsit Dita e Mësuesit, në shkollën tonë u organizua kuizi i diturisë në lëndën e Matematikës, ku nxënësit treguan njohuritë, logjikën dhe frymën e garës.
Rezultatet e kuizit ishin:
Vendi i parë nga klasat e dhjeta: X-4
Vendi i parë nga klasat e njëmbëdhjeta: XI-1
Urime nxënësve fitues për suksesin e arritur dhe falënderim për të gjithë pjesëmarrësit që e bënë këtë aktivitet të bukur dhe motivues.
03/03/2026
Urime të përzemërta nxënësit të shkollës IAAP ''Rifat Gjota''Pejë , Lisian Thaçi, i cili është shpallur sportisti i vitit si dhe lojtari më i mirë për U17.
Ky vlerësim është rezultat i punës së vazhdueshme, disiplinës dhe pasionit për futbollin. Të përfaqësosh me dinjitet ekipin dhe të dallohesh si më i miri në grupmoshën tënde është arritje e madhe dhe krenari për shkollën.
Suksese të mëtejshme në çdo hap të karrierës sportive. 🏆⚽
Lisian Thaqi
27/02/2026
🏆 Vend i Dytë në Garat Ndërkombëtare Teens in AI
Me krenari të veçantë njoftojmë se nxënësit e shkollës sonë kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm duke fituar vendin e dytë në garat ndërkombëtare Teens in AI me një projekt inovativ në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe kujdesit shëndetësor.
Projekti i zhvilluar është një aplikacion inteligjent që skanon recetat e mjekut, identifikon barnat, informon nëse ato mund të merren pa pagesë në Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe dërgon njoftime për orarin e marrjes së terapisë, duke ndihmuar drejtpërdrejt qytetarët në menaxhimin e shëndetit të tyre.
Ky sukses përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt inovacionit dhe përdorimit të teknologjisë në shërbim të komunitetit, si dhe dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm të të rinjve tanë.
Urime dhe mirënjohje për nxënësit
Rigon Haxhijaj
Fjolla Loxhaj
Leart Ademaj
Ju jeni shembull frymëzimi dhe krenari për shkollën dhe për të gjithë ne.
26/02/2026
Qendra e Karrierës bashkë me Zyra e Punësimit në Pejë nën udhëheqjen e Besiana Lluka organizuan sesion informues për shërbimet dhe mundësitë që ofron Zyra e Punësimit për të rinjtë.
Gjatë këtij sesioni nxënësit u informuan mbi orientimin profesional masat aktive të punësimit dhe trajnimet që ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt profesionale.
23/02/2026
Qendra e Karrierës gjithmonë u ofron nxënësve mundësi për t’u avancuar në drejtimet që i kanë përzgjedhur. Nxënësit tanë kanë qenë pjesë e trajnimit dyditor falas në web programim të organizuar nga Dega Academy në Pejë. Gjatë këtij workshopi ata kanë punuar praktikisht në ndërtimin e një website nga zero dhe kanë mësuar bazat e HTML CSS dhe JavaScript. Angazhimi dhe përkushtimi i tyre është vlerësuar me certifikata pjesëmarrjeje të cilat sot po i postojmë me kënaqësi. Falënderojmë Dega Academy për bashkëpunimin dhe për mundësinë e ofruar ndërsa nxënësve u urojmë suksese të mëtejshme në zhvillimin e tyre profesional dhe orientimin në karrierë.
16/02/2026
Urime Kosovë!
18 vjet shtet 🇽🇰
Qendra për Karrierë IAAP 'Rifat Gjota"- Pejë
13/02/2026
📚🇽🇰 “Letër për Kosovën”–18 vite Pavarësi 🇽🇰
Në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ne si IAAP “Rifat Gjota”, në bashkëpunim me Biblioteka Azem Shkreli, organizuam aktivitetin letrar me temën “Letër për Kosovën”.
Ky aktivitet ishte një thirrje për reflektim, dashuri dhe përgjegjësi ndaj atdheut. Përmes fjalës së shkruar, nxënësit tanë shprehën ndjenjat, ëndrrat dhe vizionin e tyre për Kosovën me sinqeritet, kreativitet dhe emocion të veçantë.
Nga ky aktivitet u shpallën 6 nxënës fitues, të cilët u vlerësuan me mirënjohje dhe nga një libër dhuratë si simbol i mbështetjes për talentin dhe përkushtimin e tyre. Nxënësit fitues janë Lisa Lleshi, Fjolla Loxhaj, Fatjeta Zogaj, Armela Dajaku, Teuta Berisha dhe Imran Musovic.
Programi u pasurua edhe me një program artistik që i dha ngrohtësi dhe frymë festive kësaj dite të rëndësishme për vendin tonë.
Si institucion arsimor, mbetemi të përkushtuar që përmes bashkëpunimeve me bibliotekat dhe institucionet kulturore të krijojmë hapësira ku nxënësit tanë të shprehen lirshëm dhe të kultivojnë dashurinë për librin, dijen dhe Kosovën.
Gëzuar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës 🇽🇰
e Pejës
11/02/2026
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në Shkencë dhe Teknologji, festojmë guximin, kuriozitetin dhe mendimin kreativ të vajzave, të cilat e bëjnë shkencën më njerëzore dhe më të afërt me shoqërinë. Në këtë frymë, nga IAAP “Rifat Gjota” u sollën shembuj frymëzues për vajzat dhe të rinjtë, ku prof. Mimoza Bardhi ndau përvojën e saj personale nga rrugëtimi arsimor dhe jeta profesionale, duke folur për sfidat e hasura dhe mënyrën se si i ka kapërcyer ato. Po ashtu, nxënëset e shkëlqyera Fjolla Loxha dhe Erjona Muçkurtaj ndanë mesazhe dhe përvoja inspiruese, duke dëshmuar me përkushtimin dhe pasionin e tyre se vajzat kanë një rol të pazëvendësueshëm në shkencë dhe teknologji.
Në përmbyllje, falënderojmë Komunën e Pejës dhe Zyrën për Barazi Gjinore të Komunës së Pejës, në veçanti znj. Samka Drançolli , për ftesën dhe përkushtimin e vazhdueshëm në fuqizimin e vajzave dhe të rinjve përmes edukimit, shkencës dhe teknologjisë.