21/05/2026
Mes librave, diskutimeve dhe pyetjeve që na bënë të reflektojmë, sot patëm kënaqësinë të zhvillonim një takim të veçantë në kuadër të projektit për pasurimin e bibliotekës së gjimnazit tonë. 📚✨
Falënderojmë Mediaprint për dhurimin e librave dhe për organizimin e këtij bashkëbisedimi të vlefshëm me autoren Irena Shabani rreth romanit “Kush qau në parajsë”, një histori e bazuar në ngjarje reale që solli emocione, reflektim dhe diskutime mjaft domethënëse mes nxënësve.
Takime të tilla na kujtojnë se librat nuk janë thjesht faqe për t’u lexuar, por histori që na bëjnë të mendojmë, të ndiejmë dhe të shohim botën ndryshe. 🤍
08/05/2026
Sot, gjimnazi ynë pati kënaqësinë të mirëpriste një grup gjimnazistësh nga Norvegjia, në një takim të mbushur me energji pozitive, bashkëpunim dhe shkëmbim kulturash. 🌍🤝
Nxënësit patën mundësinë të ndajnë përvoja, ide dhe këndvështrime mbi jetën shkollore, traditat, kulturën dhe ëndrrat e tyre për të ardhmen. Përmes bisedave, aktiviteteve dhe njohjeve të reja, u krijuan ura miqësie dhe mirëkuptimi mes të rinjve nga dy vende të ndryshme.
Këto takime janë një mundësi e vyer për të zgjeruar horizontet, për të nxitur komunikimin dhe për të forcuar frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Faleminderit nxënësve dhe mësuesve norvegjezë për vizitën dhe atmosferën e ngrohtë që sollën në shkollën tonë! 🇦🇱🇳🇴
07/05/2026
🏛️ Një përfaqësim që na nderon dhe na bën krenarë.
Në aktivitetin “Debati 3.0”, organizuar nga Debati Tirana, nxënësit e shkollës sonë dëshmuan kulturë, intelekt dhe forcën e fjalës, duke u renditur mes 4 gjimnazeve më të mira të Tiranës në debatin e tipit Carl Popper. Me argumente të ndërtuara me maturi, vetëbesim dhe profesionalizëm, ata përfaqësuan denjësisht jo vetëm shkollën tonë, por edhe vlerat që ajo mbart.
Një vlerësim i veçantë për nxënësen tonë, Anisa Kosova, e cila u shpall “Folësja e Dytë më e Mirë”, duke spikatur me elokuencën, inteligjencën dhe prezencën e saj në debat. 🏆
Suksese të tilla janë dëshmi e potencialit, punës dhe nivelit që mbajnë nxënësit tanë.
Krenarë për çdo hap që ngre lart emrin e shkollës sonë. ✨
07/05/2026
Sot në gjimnazin Gjimnazi “Luan Hajdaraga” u zhvillua paraprovimi i lëndës së Matematikës, një aktivitet i rëndësishëm në kuadër të përgatitjeve për Maturën Shtetërore.
Në këtë paraprovim morën pjesë edhe nxënësit maturantë nga gjimnazi “Andon Zako Çajupi” dhe gjimnazi jopublik “DAS”, duke dëshmuar seriozitet, përkushtim dhe frymë bashkëpunimi mes shkollave.
Falënderojmë të gjithë maturantët dhe stafin mësimor për angazhimin dhe korrektësinë gjatë zhvillimit të testimit. Suksese të gjithë nxënësve në rrugëtimin drejt provimeve të Maturës! 📚
04/05/2026
Sot, në gjimnazin “Luan Hajdaraga”, u zhvillua me sukses testi i lëndës me zgjedhje për maturantët.
Nxënësit treguan përkushtim, seriozitet dhe përgjegjësi gjatë gjithë procesit, duke reflektuar punën dhe përgatitjen e tyre të vazhdueshme. Ky test përbën një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre drejt përmbylljes së suksesshme të arsimit të mesëm.
Suksese të mëtejshme të gjithë maturantëve në sfidat që i presin!
30/04/2026
Sot në Gjimnazin “Luan Hajdaraga” u zhvillua me seriozitet dhe përgjegjësi paratesti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë për maturantët tanë.
Ky proces shërben si një hap i rëndësishëm për përgatitjen e tyre drejt provimeve përfundimtare, duke vlerësuar njohuritë, aftësitë analitike dhe nivelin e përvetësimit të programeve mësimore.
Falënderojmë nxënësit për angazhimin dhe korrektësinë, si dhe mësuesit për përkushtimin në këtë proces të rëndësishëm.
Suksese të mëtejshme maturantëve në rrugëtimin e tyre akademik!
24/04/2026
Sot u zhvillua paratesti i lëndës së Anglishtes për maturantët, një hap i rëndësishëm në përgatitjen e tyre drejt provimeve përfundimtare. Nxënësit patën mundësinë të testojnë njohuritë dhe aftësitë e fituara, duke reflektuar seriozitet dhe përkushtim. Suksese të mëtejshme të gjithëve në rrugën drejt maturës!
23/04/2026
Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, 23 prill, patëm kënaqësinë të mirëprisnim në një bisedë të veçantë për librin pesë miq të çmuar, të cilët me praninë dhe mendimet e tyre e kthyen këtë bisedë në një takim vërtet të ngrohtë, të bukur dhe të vyer për të gjithë ne.
Ishte një rast i veçantë dhe fat që në këtë tryezë të ishin pesë personalitete të njohura të letrave dhe medias shqiptare:
Kliton Nesturi, shkrimtar, dramaturg dhe gazetar në RTSH.
Leonard Veizi, shkrimtar dhe gazetar në media të ndryshme
Olimbi Velaj, shkrimtare, poete fituese çmimesh, publiciste, kritike dhe pedagoge
Andon Andoni, shkrimtar,publicist dhe ekspert i fushës së arsimit
Miranda & Bujar Karoshi, botues të Shtëpisë Botuese M&B.
Biseda rrodhi natyrshëm, me ndjeshmëri, kulturë dhe dashuri për librin, duke krijuar një atmosferë ku secili u ndje mirë dhe mori diçka të vlefshme me vete.
Momente të tilla të kujtojnë se libri nuk është vetëm një objekt që lexohet, por një urë që lidh mendje, përvoja dhe shpirtra.
Mes miqsh të çmuar dhe zërash të njohur të letrave shqipe, biseda mori një rrjedhë të natyrshme, të sinqertë dhe të ngrohtë. Ishte një nga ato takime që nuk i planifikon dot në detaje, por që lindin bukur, rriten vetë dhe të lënë një ndjesi të mirë që zgjat.
Fjala u bë urë, libri u bë pretekst, ndërsa atmosfera… një kujtim i bukur që na përkufizon si njerëz që ende besojnë te fuqia e leximit dhe e dialogut.
Nga shtëpia botuese, Botime M&B u dhuruan dhe një numër librash që iu shtuan fondit të bibliotekës së shkollës.
Mirënjohje për praninë, mendimet dhe energjinë që secili solli në këtë tryezë të vogël, por kaq të pasur në shpirt. 📚
22/04/2026
🌍 Në Ditën e Tokës, shkolla jonë zgjedh të veprojë.
Nxënësit e klasës 12-A, së bashku me Klubin e Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike, kanë marrë iniciativën për implementimin e sistemeve vaditëse në parcelat e shkollës. Ky një hap konkret drejt një mjedisi më të qëndrueshëm dhe më të kujdesshëm ndaj natyrës.
Në kuadër të projektit “Toka në shkollë”, realizuar me klasat e 10-ta dhe nën drejtimin e mësuesit të biologjisë Bardhyl Nure dhe mësueses së kimisë Arjana Llukmani, jemi përqendruar në ruajtjen e vlerës së tokës përmes punës praktike:
🌱 Faza e parë – Punimi i tokës
🌿 Faza e dytë – Mbjellja e perimeve
💧 Faza e tretë – Shërbimi dhe përkujdesja
Si rezultat, kemi krijuar një kopsht të vogël me disa lloje perimesh, një dëshmi kjo e angazhimit, bashkëpunimit dhe respektit për natyrën.
Sepse ndryshimi fillon aty ku vendosim të kujdesemi. 🌎💚