17/09/2026
Në Qendrën Kulturore Islame në Rahovec u shënua një tjetër moment i veçantë dhe i gëzueshëm, ku Fatmire Hoxha bëri hapin e saj të parë në leximin e Kur’anit.
Ky moment ishte veçanërisht emocionues, duke pasur parasysh përpjekjen dhe këmbënguljen që Fatmirja kishte treguar gjatë gjithë rrugëtimit të saj. Megjithatë, pavarësisht vështirësive dhe pengesave, ajo nuk u dorëzua dhe vazhdoi me durim e përkushtim.
Pikërisht kjo përpjekje e saj e bëri këtë ditë edhe më të veçantë. Rrugëtimi i Fatmire Hoxhës është një shembull i bukur se përparimi nuk matet gjithmonë me shpejtësi, por me këmbëngulje dhe mosdorëzim. Për të gjitha gratë dhe vajzat që hasin vështirësi gjatë mësimit të Kur’anit, shembulli i saj është një kujtesë se çdo hap, sado i vogël, ka vlerë dhe se nuk duhet hequr dorë nga rruga e mësimit.
Me këtë rast, mualimja Safete Sylka mbajti një ligjëratë rreth Dhuntive të Allahut me mesazhe të dobishme dhe inkurajuese duke theksuar rëndësinë e të qenit falenderuese për atë që posedojmë.
Pjesë e këtij gëzimi ishin nxënëset, gratë dhe vajzat e Qendrës Kulturore, si dhe familjarët e Fatmire Hoxhës, të cilët e ndanë së bashku këtë moment të bukur.
Momenti më emocionues i këtij aktiviteti ishte kur vetë Fatmire Hoxha lexoi faqen e parë të Kur’anit. Leximi i saj u përcoll me një ndjenjë të veçantë gëzimi dhe mirënjohjeje, pasi pas gjithë përpjekjeve të saj, ajo më në fund arriti të hapë një faqe të re në rrugëtimin me Librin e Allahut.
Në përfundim, aktiviteti u shoqërua me një koktej të përgatitur nga vetë Fatmire Hoxha, si shprehje e gëzimit dhe falënderimit për këtë ditë të veçantë, të cilën ajo e ndau me familjen dhe nxënëset e Qendrës.
Lusim Allahun që t’ia lehtësojë Fatmires vazhdimin e mësimit, t’ia shtojë dashurinë për Kur’anin dhe ta bëjë këtë hap fillimin e një lidhjeje edhe më të fortë me Fjalën e Tij. Gjithashtu, urojmë që përpjekja dhe këmbëngulja e saj të jetë frymëzim për çdo grua dhe vajzë që dëshiron ta mësojë Kur’anin, pavarësisht vështirësive që mund të hasë gjatë rrugës.