Qendra e Kujdesit Ditor - PEMA

Qendra e Kujdesit Ditor - PEMA

Share

Kjo është faqja zyrtare e Qendrës së Kujdesit Ditor PEMA, përmes së cilës ju mund të informoheni rreth aktiviteteve dhe të rejave më të fundit të qendrës.

Qendra e Kujdesit Ditor - PEMA është organizatë jo qeveritare e cila synon bashkëpunimin e mirëfilltë me partnerë ndërkombëtar dhe vendor, institucione qeveritare dhe të shoqërisë civile me qëllim që të përkrah dhe të asistojë në zhvillimin dhe avancimin e shërbimeve sociale të bazuara në komunitet për fëmijë me aftësi të kufizuara si dhe fëmijë nga kategoritë tjera të cenuara, dhe familjet e tyre

29/05/2026

Bashkohuni me ne për Ditën e Fëmijëve!🎨

Më 2 Qershor, Trust Circle Foundation në bashkëpunim me Qendra e Kujdesit Ditor - PEMA dhe me përkrahjen e BORA Pharmacy organizon një ekspozitë vizatimi dedikuar fëmijëve me aftësi të kufizuara. 💛

Përmes artit, kreativitetit dhe argëtimit, synojmë të promovojmë talentin dhe shkathtësitë e tyre në një atmosferë të ngrohtë dhe gjithëpërfshirëse.

🗓️ 2 Qershor
🕛 12:00 – 13:00
📍 Restaurant “EDHE” në Sofali

Punimet e realizuara gjatë aktivitetit do të sh*ten dhe të gjitha mjetet e mbledhura do të shkojnë në mbështetje të Qendrës së Kujdesit Ditor - PEMA.

Ju mirëpresim të bëheni pjesë e kësaj dite të veçantë!

Photos from Qendra e Kujdesit Ditor - PEMA's post 27/05/2026

BASHKË ME FËMIJËT E PEMA-S NË NJË DITË TË VEÇANTË PARA FESTËS

Në prag të festës së Bajramit, fëmijët e Qendrave të Kujdesit Ditor-PEMA përjetuan momente të veçanta gëzimi dhe atmosfere festive falë vizitave dhe gjesteve humanitare që sollën buzëqeshje dhe lumturi për ta.

Me këtë rast, z. Valon Murati dhe z. Edon Zeqiri, së bashku me disa shokë vullnetmirë, vizituan fëmijët duke shpërndarë dhurata dhe duke krijuar momente të ngrohta e të veçanta.

Po ashtu, IPKO në bashkëpunim me FC Drita realizuan një vizitë festive për fëmijët, ku u shpërndanë ëmbëlsira dhe dhurata të ndryshme në një atmosferë shumë miqësore dhe festive. Në shenjë mirënjohjeje dhe urimi për suksesin e FC Dritës si kampion, fëmijët dhuruan një pikturë të punuar nga vetë ata me logon e klubit, si simbol i dashurisë dhe vlerësimit për mbështetjen dhe vizitat e vazhdueshme.

Atmosferës festive iu bashkua edhe Shtëpia e Ëmbëlsirave “Vlera”, e cila gëzoi fëmijët me ëmbëlsira në prag të festës.

Këto iniciativa pasqyrojnë vlerat e solidaritetit, kujdesit dhe mbështetjes ndaj fëmijëve, duke sjellë gëzim dhe afërsi në ditë feste dhe bashkimi.

Photos from Qendra e Kujdesit Ditor - PEMA's post 20/05/2026

BLETËT DHE ROLI I TYRE NË NATYRË – VIZITË EDUKATIVE

Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Bletëve, fëmijët e Qendrës së Kujdesit Ditor- PEMA, të shoqëruar nga stafi, realizuan një vizitë edukative në Bletarinë “Elisa” në Bellopojë të Pejës.

Gjatë kësaj eksperience të veçantë, fëmijët patën mundësinë të njihen nga afër me botën e bletëve, rëndësinë e tyre për natyrën dhe rolin jetik që ato kanë në ekosistem.

Pronarja e bletarisë, znj. Arlinda Kastrati Muhaxheri, prezantoi për fëmijët kosheret dhe procesin e prodhimit të mjaltit, duke shpjeguar mënyrën se si bletët mbledhin nektarin, organizimin e jetës në koshere dhe përpunimin e mjaltit deri në produktin final.

Kjo vizitë ishte një përvojë mjaft interesante, edukative dhe frymëzuese për fëmijët, duke i afruar ata më shumë me natyrën dhe rëndësinë e ruajtjes së saj.

Photos from Qendra e Kujdesit Ditor - PEMA's post 19/05/2026

ZHVILLIM, MËSIM DHE ORIENTIM PROFESIONAL PËR TË ARDHMEN

Në kuadër të aktivitetit “Dyert e Hapura”, fëmijët e Qendrës së Kujdesit Ditor- PEMA në Ferizaj dhe Gjilan, të shoqëruar nga prindërit dhe stafi, realizuan vizita edukative në disa shkolla profesionale.

Në Ferizaj, fëmijët u mirëpritën në Shkollën e Mesme të Lartë të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Zenel Hajdini”, ndërsa në Gjilan vizituan Shkollën Profesionale “Sahit Baftiu” dhe “Mehmet Isai”.

Gjatë këtyre vizitave, ata patën mundësinë të njihen nga afër me profesionet dhe drejtimet e ndryshme profesionale, ambientet shkollore, kabinetet praktike dhe programet mësimore që ofrohen në secilën shkollë.

Po ashtu, stafi i shkollave prezantoi drejtimet profesionale, kushtet e mësimit dhe mundësitë për zhvillim profesional pas përfundimit të shkollimit.

Këto përvoja ishin mjaft frytdhënëse për fëmijët, duke kontribuar në orientimin e tyre të hershëm profesional, zhvillimin e interesave dhe aftësive të tyre, si dhe në përgatitjen për një të ardhme më të suksesshme.

PEMA vazhdon të mbështesë aktivitete që nxisin mësimin praktik, integrimin dhe zhvillimin e potencialit të çdo fëmije.

Photos from Qendra e Kujdesit Ditor - PEMA's post 08/05/2026

DREJT MUNDËSIVE TË BARABARTA NË ARSIMIN PROFESIONAL

ORIENTIM PROFESIONAL PËR NJË TË ARDHME MË TË PAVARUR

Në kuadër të aktivitetit “Dyert e Hapura”, fëmijët e Qendrës së Kujdesit Ditor-PEMA në Pejë, të shoqëruar nga prindërit dhe stafi, realizuan një vizitë në dy shkolla profesionale: Shkolla Profesionale “Rifat Gjota” dhe Shkolla Profesionale “Ali Hadri”.

Gjatë vizitës, ata u mirëpritën ngrohtësisht nga stafi dhe nxënësit e shkollave. Fëmijët patën mundësinë të njihen nga afër me profesionet e ndryshme, ambientet shkollore, kabinetet mësimore dhe punën praktike që zhvillohet në secilin drejtim profesional.

Kjo vizitë ishte një përvojë mjaft frytdhënëse dhe mbresëlënëse, e cila do t’u ndihmojë fëmijëve në orientimin e tyre të ardhshëm profesional dhe në integrimin më të lehtë në vazhdimin e shkollimit.

Photos from Qendra e Kujdesit Ditor - PEMA's post 01/05/2026

ARTI QË FLET PA FJALË:AKTIVITETI EBRU ME PRINDËRIT

Në vazhdën e bashkëpunimit të suksesshëm me Institutin “Yunus Emre”, në Qendrën e Kujdesit Ditor- PEMA në Pejë u realizua një aktivitet i veçantë artistik me teknikën tradicionale Ebru.

Ky aktivitet u udhëhoq nga profesoresha Shenaj Jusufi nga Yunus Emre Prishtinë, në bashkëpunim me Asiha Gorqin, përfaqësuese e Yunus Emre në Pejë. Në këtë përvojë kreative morën pjesë prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilët patën mundësinë të eksplorojnë artin në një formë unike dhe relaksuese.

Përmes teknikës Ebru, përveç krijimit të veprave të bukura artistike, pjesëmarrësit përjetuan edhe një ndikim pozitiv në mirëqenien e tyre emocionale. Aktiviteti solli qetësi, relaksim dhe ndjenjë kënaqësie gjatë procesit krijues, duke u ofruar prindërve një hapësirë për shprehje emocionale, bashkëveprim dhe shkëputje nga rutina e përditshme.

Aktivitete të tilla dëshmojnë fuqinë e artit si mjet shprehjeje, terapie dhe mbështetjeje për komunitetin. Bashkëpunime të këtij lloji do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim promovimin e përfshirjes, mirëqenies dhe zhvillimit kreativ për të gjithë.

Photos from Qendra e Kujdesit Ditor - PEMA's post 23/04/2026

SIGURIA NË TRAFIK NIS NGA EDUKIMI: FËMIJËT E PEMA-S NË PEJË JANË PJESË E NISMËS VETËDIJËSUESE NGA ‘KLSP’

Fëmijët e Qendrës së Kujdesit Ditor PEMA në Pejë morën pjesë në një fushatë vetëdijësuese të organizuar nga KLSP me temën “Siguria në trafik”, e mbajtur në qendër të qytetit.

Ky aktivitet kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për respektimin e rregullave në rrugë dhe rëndësinë e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. Në kuadër të fushatës, përfaqësues nga zjarrfikësit dhe shërbimet emergjente ndanë informacione të vlefshme dhe këshilla praktike, duke i njohur fëmijët me mënyrat e reagimit në situata emergjente dhe me institucionet ku duhet të drejtohen për ndihmë.

Fëmijët treguan interes të madh për temën ishin aktivë, kureshtarë dhe bënë shumë pyetje, duke u përfshirë drejtpërdrejt në diskutime me profesionistët. Përmes këtij aktiviteti, ata jo vetëm që mësuan më shumë për sigurinë në trafik, por edhe zhvilluan ndjenjën e përgjegjësisë si pjesëmarrës të ardhshëm në rrugë.

Photos from Qendra e Kujdesit Ditor - PEMA's post 22/04/2026

NGA RICIKLIMI TEK PASTRIMI – MËSOJMË TA DUAM TOKËN DUKE VEPRUAR

Në kuadër të 22 Prillit – Ditës së Tokës, Qendra e Kujdesit Ditor-PEMA në Pejë, Ferizaj dhe Gjilan e shënoi këtë ditë përmes aktiviteteve edukative dhe angazhimeve praktike, duke nxitur te fëmijët dashurinë dhe përgjegjësinë për mjedisin.

Në Pejë, fëmijët përdorën materiale ricikluese për të krijuar lule dekorative, me të cilat zbukuruan ambientet e jashtme të qendrës. Përveç kësaj, përmes një pjese edukative nga stafi profesional, ata mësuan mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe gjelbërimit për një jetë të shëndetshme.

Ndërsa në Ferizaj, së bashku me anëtarët e Kuvendit Rinor, fëmijët zhvilluan një aktivitet në Parkun e Lirisë, ku kontribuan në pastrimin e hapësirave publike duke mbledhur mbeturinat dhe duke dhënë një mesazh të qartë për ruajtjen e ambientit.

Në Gjilan, fëmijët u angazhuan në aktivitete praktike duke mbjellë fara dhe duke mësuar për procesin e rritjes së bimëve. Krahas kësaj, ata realizuan edhe punime kreative me motive të planetit Tokë, duke shprehur përmes artit rëndësinë e kujdesit për natyrën.

💚 Përmes këtyre aktiviteteve, fëmijët jo vetëm që mësuan, por edhe vepruan për një mjedis më të pastër dhe më të gjelbër.

Photos from Qendra e Kujdesit Ditor - PEMA's post 17/04/2026

NGA LIBRI NË PRAKTIKË: NJË VIZITË NDRYSHE PËR FËMIJËT

Për Ditën Botërore të Monomenteve , fëmijët e Qendrës së Kujdesit Ditor- PEMA vizituan Mullirin e Haxhi Zekës. Gjatë vizitës, ata u njohën me historinë e këtij mulliri të vjetër, i cili është një ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Ata mësuan se si mulliri ka shërbyer dikur për bluarjen e drithit dhe për rëndësinë që kishte për jetën e banorëve në të kaluarën.

Kjo vizitë nuk ishte thjesht një ndalesë edukative, por një përjetim i gjallë ku kureshtja, mësimi dhe argëtimi u ndërthurën bukur, duke lënë tek fëmijët kujtime të paharrueshme dhe një dashuri më të madhe për historinë dhe kulturën tonë.

Photos from Qendra e Kujdesit Ditor - PEMA's post 02/04/2026

Takim Profesional në PEMA me Rastin e Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin

Më 2 prill, me rastin e Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, në Qendrën e Kujdesit Ditor- PEMA në Gjilan u zhvillua një takim profesional mbi politikat arsimore, shërbimet mbështetëse dhe praktikat gjithëpërfshirëse në arsim. Në takim morën pjesë profesionistë të fushës, përfshirë psikologë, mësimdhënës, mësues mbështetës, asistentë dhe edukatorë.

Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, ku pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre profesionale dhe diskutuan sfidat në punën me fëmijët me nevoja të veçanta, veçanërisht me fëmijët me autizëm. Gjithashtu, u propozuan ide konkrete për përmirësimin e përfshirjes aktive të këtyre fëmijëve në procesin arsimor, duke nxitur qasje gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse.

Takimi u vlerësua si i suksesshëm dhe me rëndësi të veçantë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve dhe avancimin e praktikave gjithëpërfshirëse në arsim.

Photos from Qendra e Kujdesit Ditor - PEMA's post 02/04/2026

Përfshirja Fillon me Bashkëpunim: Tryezë Gjithëpërfshirëse për Autizmin

Në kuadër të shënimit të 2 Prillit – Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, Qendra e Kujdesit Ditor – PEMA në Pejë organizoi një tryezë gjithëpërfshirëse, me qëllim bashkimin e profesionistëve të arsimit dhe shërbimeve mbështetëse për të diskutuar mbi përfshirjen dhe mbështetjen e fëmijëve me autizëm në mjedisin shkollor.

Ky aktivitet shërbeu si një hapësirë e rëndësishme bashkëbisedimi për shkëmbimin e përvojave, identifikimin e sfidave dhe diskutimin e praktikave efektive që kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi arsimor më gjithëpërfshirës dhe mbështetës për të gjithë nxënësit.

Në kuadër të kësaj tryeze u trajtuan çështje që lidhen me mbështetjen e fëmijëve me autizëm në shkolla, si dhe sfidat dhe vështirësitë në integrimin e tyre në procesin arsimor.

Në këtë takim morën pjesë zyrtarë të Drejtorisë Komunale të Arsimit, përfaqësues të ekipit komunal për vlerësime pedagogjike, psikologë shkollorë, asistentë, mësues mbështetës, mësues të klasës, edukatorë, mësimdhënës nga Qendra Burimore, si dhe përfaqësues të ekipit komunal të komunitetit për persona me nevoja të veçanta.

Want your school to be the top-listed School/college in Prishtinë ?

Click here to claim your Sponsored Listing.

Location

Telephone

Address

Rruga: Tirana, Blloku A6, Hyrja B5 Nr. 18
Prishtinë
10000