04/08/2026
Nxënësi i Gjimnazit "Xhevdet Doda" përfaqësoi Kosovën në programin prestigjioz të Departamentit të Shtetit të SHBA-së
Me krenari ndajmë suksesin e nxënësit tonë Mat Baruti, i cili përfundoi me sukses programin ndërkombëtar ODYLP EAGLE 2026 (Excellence in AI and Global Leadership Exchange), një iniciativë e Byrosë për Çështje Arsimore dhe Kulturore ECA të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e zbatuar nga Legacy International.
Pas përfundimit me sukses të programit, Mati u pajis me certifikatë zyrtare, duke dëshmuar angazhimin dhe pjesëmarrjen e tij në këtë program ndërkombëtar. Programi mblodhi të rinj me potencial të lartë lidershipi nga vende të ndryshme, me fokus zhvillimin e aftësive në inteligjencën artificiale, inovacion, sipërmarrje, diplomaci dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Gjatë programit në Seattle dhe Washington, D.C., Mati përfaqësoi Kosovën duke marrë pjesë në ligjërata, punëtori, vizita studimore dhe takime me ekspertë në institucione dhe kompani me renome botërore, përfshirë Google, Microsoft, Amazon, Boeing dhe University of Washington.
Një nga momentet më të rëndësishme të programit ishte vizita në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, ku pjesëmarrësit u njohën nga afër me diplomacinë amerikane dhe programet ndërkombëtare të shkëmbimit rinor. Aktiviteti u pasqyrua edhe në postimin zyrtar të Byrosë për Çështje Arsimore dhe Kulturore ECA.
Jemi të lumtur që një nxënës i Gjimnazit "Xhevdet Doda" pati mundësinë ta përfaqësojë Kosovën në një program të këtij niveli. Ky sukses përfaqëson një arritje të rëndësishme për Matin dhe njëkohësisht një promovim dinjitoz të shkollës sonë në arenën ndërkombëtare. Pjesëmarrja në programe të tilla është dëshmi e përkushtimit, punës dhe potencialit që kanë të rinjtë e Kosovës për të kontribuar dhe për t'u dalluar në mjedise ndërkombëtare. Besojmë se kjo përvojë do ta motivojë Matin të vazhdojë të zhvillojë potencialin e tij, të arrijë suksese të reja dhe të mbetet një shembull frymëzues për bashkëmoshatarët e tij.
I urojmë suksese të vazhdueshme në rrugëtimin e tij akademik dhe profesional dhe jemi të bindur se ai do të vazhdojë ta përfaqësojë me dinjitet Gjimnazin "Xhevdet Doda" dhe Kosovën në
iniciativa të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.