11/06/2026
Më 2 qershor është mbajtur testi i vlerësimit të nxënësve për shkallën IV, ndërsa sot është zhvilluar testi i vlerësimit për shkallët I, II dhe III. Ky proces ka pasur për qëllim vlerësimin e njohurive, shkathtësive dhe kompetencave të nxënësve të fituara gjatë vitit shkollor.
Gjatë testimit, nxënësit treguan përkushtim, seriozitet dhe angazhim të madh në punën e tyre. Ata iu qasën detyrave me përgjegjësi, duke dëshmuar gatishmëri dhe vullnet për të shfaqur njohuritë e fituara. Mbarëvajtja e testimit ishte e rregullt dhe në përputhje me procedurat e parapara, falë bashkëpunimit të nxënësve dhe stafit arsimor.
Urojmë që rezultatet e këtij vlerësimi të pasqyrojnë sa më mirë punën, përpjekjet dhe sukseset e nxënësve gjatë këtij viti shkollor. Njëkohësisht, i falënderojmë nxënësit për angazhimin dhe seriozitetin e treguar gjatë testimit dhe u dëshirojmë suksese në rezultatet e tyre.
10/06/2026
Festa e Abetares
Në shkollën tonë u shënua me gëzim Festa e Abetares, një moment i veçantë për nxënësit e klasave të para, të cilët përfunduan mësimin e shkronjave dhe hodhën hapat e parë në botën e leximit.
Përmes recitimeve, këngëve dhe aktiviteteve të ndryshme, nxënësit prezantuan njohuritë e fituara, duke e bërë këtë ditë të paharrueshme për ta, prindërit dhe mësueset e tyre.
Urime të gjithë nxënësve për këtë sukses dhe shumë mbarësi në rrugën e dijes!
09/06/2026
Vizitë e përfaqësuesve të KFOR-it në shkollën tonë
Sot, shkolla jonë pati kënaqësinë të mirëpresë përfaqësues të KFOR-it. Gjatë vizitës, ata u njohën me të arriturat, sfidat dhe aktivitetet që zhvillohen në shkollën tonë. Përfaqësuesit e KFOR-it vlerësuan gjendjen e mirë të shkollës, pastërtinë dhe mirëmbajtjen e objektit shkollor, si brenda ashtu edhe jashtë tij. Ata gjithashtu shprehën vlerësim për klimën pozitive, bashkëpunimin dhe atmosferën e këndshme që mbretëron në shkollë. Vizita u zhvillua në frymë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, duke lënë përshtypje shumë të mira te të gjithë pjesëmarrësit.
04/06/2026
Sonte, në ambientet e restorantit "Diamanti", festuam mbrëmjen e semimaturës, një ngjarje të veçantë që kurorëzoi me gëzim dhe emocione një kapitull të rëndësishëm të jetës shkollore. Nën tingujt e muzikës, mes buzëqeshjeve dhe atmosferës së ngrohtë, nxënësit dhe arsimtarët ndanë së bashku çaste të bukura që do të mbeten gjatë në kujtesë.
Ishte një mbrëmje e mrekullueshme, e mbushur me gëzim, miqësi dhe kujtime të paharrueshme. Të gjithë u larguan të lumtur dhe të kënaqur, duke marrë me vete emocionet e një nate që do të kujtohet me shumë dashuri.
03/06/2026
Sot, së bashku me nxënësit e shkollës fillore, vizituam observatorin në Rashicë të Shtimes. Gjatë kësaj vizite, nxënësit u njohën me gjithësinë dhe me mënyrat e vrojtimit të trupave qiellorë. Ata patën mundësinë të vrojtojnë Diellin përmes teleskopit, një përvojë sa edukative aq edhe interesante. Më pas, nxënësit drekuan dhe u argëtuan me lojëra në ambientet e restorantit “Liqeni i Mjellmave”. Kjo vizitë ishte një përvojë e bukur që ndërthuri mësimin me argëtimin.
16/05/2026
Nxënësit e klasave të nënta realizuan një shëtitje njëditore nëpër Kosovë, e cila u zhvillua me shumë sukses dhe sipas planifikimit të paraparë. Gjatë gjithë udhëtimit mbizotëroi një atmosferë e këndshme, bashkëpunuese dhe plot respekt.
Nxënësit dhe arsimtarët mbikëqyrës u ndanë shumë të kënaqur me organizimin dhe mbarëvajtjen e shëtitjes. Përkujdesja, sjellja shembullore dhe disiplina e treguar nga nxënësit meritojnë falënderim të veçantë, pasi ata përfaqësuan në mënyrën më të mirë shkollën tonë.
Nisja nga shkolla u bë në orën 07:15, ndërsa kthimi në shtëpi në orën 21:30. Kjo shëtitje do të mbetet një kujtim i bukur për të gjithë pjesëmarrësit.
05/05/2026
Me rastin e Ditës së Shkollës, e cila përkon me 5 Majin – Ditën e Dëshmorëve, në shkollën tonë u organizua një program i pasur kulturo-artistik.
Në këtë aktivitet morën pjesë nxënësit, prindërit dhe stafi i shkollës, duke krijuar një atmosferë të veçantë nderimi dhe përkujtimi. Programi u nderua me praninë e familjarëve të dëshmorëve, të cilët i falënderojmë përzemërsisht për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në ruajtjen e kujtesës historike.
Gjithashtu, na nderuan me praninë e tyre drejtori i DKA-së, drejtorë të shkollave dhe mysafirë të tjerë, të cilëve u shprehim mirënjohjen tonë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Kjo ditë shërbeu si një moment reflektimi, krenarie dhe përkushtimi ndaj vlerave kombëtare dhe sakrificës së dëshmorëve për lirinë që gëzojmë sot.
30/04/2026
Njoftim për Testin e Arritshmërisë 2026
Të dashur nxënës, ju informojmë se, në përputhje me vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Testi i Arritshmërisë për nxënësit e klasave të nënta do të zhvillohet më 26 qershor 2026.
Ky test përbën një moment të rëndësishëm në rrugëtimin tuaj arsimor, duke ofruar mundësinë për të treguar njohuritë, përkushtimin dhe punën tuaj të vazhdueshme ndër vite.
Shkolla jonë ju uron suksese të gjithëve, vetëbesim dhe arritje sa më të mira në këtë hap të rëndësishëm të arsimit tuaj!
30/04/2026
Në kuadër të Kuizit të Diturisë që u organizua në shkollën tonë, si fitues u shpallën nxënësit e klasës së 8/2: Ajana Uka, Dion Rush*ti, Merisa Tahiri dhe Rejan Rrahimi. Me përkushtimin dhe njohuritë e tyre, ata u dalluan dhe merituan vendin e parë.
Me rastin e Ditës së Shkollës, nxënësit fitues do të nderohen me nga një libër si shpërblim dhe me një mirënjohje të përbashkët, si vlerësim për arritjet e tyre.
Shkolla jonë i përgëzon përzemërsisht fituesit dhe njëkohësisht u uron shumë suksese të gjithë nxënësve në rrugëtimin e tyre drejt dijes!