30/11/2021
VLERA E VIZITËS SË TË SËMURIT
Një nga nderimet që Allahu i Plotfuqishëm ka përgatitur për këtë ummet është shpërblimi i madh për ata që i vizitojnë të sëmurët. Në hadithin që e transmeton Ebu Hurejre r.a. thuhet se Pejgamberi savs, ka thënë:
„Atë i cili e viziton të sëmurin e thërret një thirrës nga qielli: „Ti je i mirë, edhe ecja jote është e mirë. I ke përgatit vetvetes qëndrim (shtëpi) në xhenet.“ (Tirmidhiu, Ibn Maxhe)
Enesi r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut savs ka thënë:
“Derisa muslimani ndodhet në vizitë të vëllait tij musliman, ai banon në hurfe (kopsht) të xhenetit derisa të kthehet.“ I është thënë: „Po çka është hurfeja (kopshti) xhenetit? Ai është përgjigjur: „Ato janë frytet e Tij." (Ahmedi, Muslimi dhe Tirmidhiu)
70.000 Melekë do t'i dërgojnë salavat
Nga Aliu r.a. transmetohet se ka dëgjuar kur Pejgamberi savs ka thënë:
„Cilido musliman që e viziton një musliman në mëngjes, për të do të dërgojnë salavat 70.000 melekë derisa të ngryset, ndërsa nëse e viziton gjatë natës, për të do të dërgojnë salavat 70.000 melekë derisa të gëdhihet.“ (Tirmidhiu)
I bien mëkatet
Enesi r.a. transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut savs kur ka thënë:
„Kur një njeri e viziton një të sëmurë, ai hyn në mëshirën e Allahut. E, kur të ulet tek i sëmuri, mëshira e mbulon plotësisht.“
Enesi thotë: „E pyeta: O i Dërguari i Allahut, kjo është për të shëndoshin i cili e viziton të sëmurin, po çka ndodh me të sëmurin?“ Ai m'u përgjigj: „Prej tij bien të gjitha mëkatet!“
(Ahmedi, Ibn Ebi Dunja dhe Taberaniu në El-Evsat) /Fahrudin Vojić; Akos.ba/ Përshtati: Miftar Ajdini