02/07/2024
Shkupi për Preshevarët apo Preshevarët për Shkupjanët
Shkruan: Shkëlzen Limani
Duke zbritur shkallëve nga kalaja nëpër rrugicat me kalldrëm që të lidhin me çarshinë, m’u kujtuan shumë njerëz nga Presheva që gjatë llafosjeve të përditshme, thuajse çdo të dytën ngjarje të jetës së tyre e lidhnin me këtë qytet!
“Kur e patëm çliruar Shkupin, kur u pat bo tërmet në Shkup, kur pata çu me s**t ve, xhiz apo fruta, kur shkojsha në zanat në Shkup, kur pata shku në Normale në Shkup…”
Eh, ata njerëz e njihnin çdo lagje e rrugicë të këtij vendi, bile i dinin shtëpitë e shumë prej banorëve dhe sesi struktura infrastrukturore kishte ndryshuar pas tërmetit (1963), etj.
Gjatë kohës që i hedhnim hapat për të shkuar deri te kafeneja ku kishim lënë takimin me miqtë e rinj nga ky qytet, pasi realizuam një projekt të përbashkët kulturor, po i kaloja nëpër ndërdije shumë rrëfime të preshevarëve që vinin e shkonin ndoshta çdo ditë në këmbë nga Shkupi në Preshevë. Shumë sosh u vendosën definitivisht në këtë qytet disa përkohësisht deri sa t’i rregullonin “vesikat” për në Turqi e disa për ta ushtruar tregtinë që dinin ta bënin…
Shkupi me qasjen politike që pati pas viteve të 50-ta, ndryshoi shumë frymëmarrjen e vet. Nga një kryeqendër e shqiptarëve dalëngadalë po shndërrohej në një vend fundamentalistësh e zejtarësh me arsyetimin e konservizmit tradicional.
Vit pas viti, shumë nga tregtarët e Anamoravës po edhe qyteteve të tjera të Kosovës e një pjesë edhe nga Muhaxherët gjetën veten duke bërë punën e zejtarit, tregtarit apo s**tësit në çarshinë shekullore dhe Bitpazarin e Shkupit.
Banorët e rinj joshqiptar që po vinin në Shkup ishin kryesisht të shkolluar apo të angazhuar në administratën krahinore e më vonë shtetërore, kurse shtimi i shqiptarëve ishte në pjesën më të madhe me tregtarë e zejtarë. Struktura e tillë e popullatës po reflektonte ndoshta aktualitetin e gjendjes së shqiptarëve në këtë qytet. Keni të drejtë të mos pajtoheni, por, shumë nga preshevarët fitimet e tregtisë dhe zejtarisë i koncentronin në shkollimin e fëmijëve të tyre, krahasuar me tregtarët e Shkupit që shtonin hapësirat e dyqaneve, pajisjeve apo planeve për iniciativa të reja bisnesi.
Pasi takuam 4 miqtë, vendosëm të uleshim te një kafene afër një hamami që si duket së fundmi ishte shndërruar në galeri apo diçka e tillë. U bëmë katër persona nga Shkupi e katër nga Presheva, secili minimum me nga një universitet të mbaruar dhe gjysma me pozita e funksione zyrtare e profesionale. Një takim jo i zakonshëm për kohën e sotme, kjo më dëshmon që çdo ditë është e ndryshme, çdo ditë sjellë një mrekulli të veten. Muzika e këngëve të Yll Limanit dhe Alban Skenderajt e mbizotëronin hapësirën e terrasës së kafenesë duke u shkrirë në muret e larta e të gurta të hamamit.
Pasditja e mesit të majit na lejonte që të rrinim rehat në atë ambient që të jepte mundësi ta përcjellje hyrjen për në galeri, kalimtarët nëpër çarshi, s**tësit e blerësit e dyqaneve e ta ndjeshë energjinë që përcjell nëpër shekuj kjo çarshi që ka bazë Bizantine duke e tranferuar në orientale. Jo sikur zakonisht, por biseda po zhvillohej si në ndonjë tryezë, kur njëri fliste të tjerët dëgjonim dhe thuajse pas çdo mendimi kishte replikë apo mendim ndryshe. Mirëpo, miqtë tanë shkupjanë bisedën e filluan duke na thënë në sy, se ju preshevarët jeni mjaft karakteristik dhe dalloheni nga ne këtu apo shqiptarët nga qytetet tjera… Duke i buzëqeshur nuk deshëm të reagonim pasi ende nuk e kuptonim se nëse ishte për diçka pozitive apo jo. Kur vazhdoi biseda duke deklaruar se nga Presheva kemi mjaft miq që jetojnë këtu në Shkup. Por, ata preshevarë që kemi njohur gjatë studimeve apo që kemi arritur t’i njohim më vonë gjatë punës që jetojnë e veprojnë në Preshevë janë shembuj për aktivizëm kulturor, arsimor, qytetar e shpirt energjik. Pos tjerash keni disa karakteristika në theksimin e disa tingujve në të shprehurit e fjalëve që ua kanë lakmi mjaft gjuhëtarë. Këto fjalë na vunë në siklet dhe vazhduam të merrnim pozicion që t’i ndërprenim fjalët e tyre sepse këto gjëra ne nuk i konsiderojmë diçka e jashtzakonshme por si pjesë e traditës familjare dhe përgatitjeve arsimore e edukative të përcjella nga gjenerata në gjeneratë.
Ia ktheva duke cituar një thënie të një të mençuri nga fshati Gerajt që pati thënë se Presheva është lum i vogël për peshq të mëdhenj… më nderpreu njëri prej tyre duke thënë se ju kemi shembuj o njerëz. Ju po bëni më shume se detyra për të cilën po paguheni, ju po mbani gjallë trashëgiminë shqiptare pa institucionet shtetërore krahasuar me shqiptarët e Shkupit, Prishtinës e Tiranës.
Pavarësisht kësaj, ne vazhduam duke i kërkuar atyre bashkëpunim në nisma e iniciativa të radhës dhe gjallëri më të madhe për aktivitetet në Shkup. Arsyetimi me petkun fetar nuk është aq i qëndrueshëm sepse nëse bazohemi në të, porosia fillestare fetare ështe “lexo”. Pra, efekti disa dekadash i gjeneratave që orientoheshin në zejtari e tregti (çdo respekt për ta), është shndërruar në njerëz besimtarë, të bindur ndaj klerit që vazhdimisht ka propaganduar në drejtim të caktuar. Pavarësisht kësaj, me hapjen e universiteteve shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë shkolluar numër më i madh i shqiptarëve. Ka patur raste kur të rinjtë shqiptarë kanë studiuar edhe në universitetin shtetëror në gjuhën maqedonase por jo sikurse këto tri dekadat e fundit. Dëgjojmë shpesh gjykime se kanë dalë të shkolluar jo cilësorë apo akuza të tjera... Mund të ketë raste të tilla. Megjithatë, këta njerëz tashmë mund t’i gjesh nëpër institucione apo pozita e funksione që po marrin formim profesional kulturor çdo ditë e më shumë dhe janë pikërisht bijtë e bijat e atyre zejtarëve e tregtarëve që tashmë kanë ngritur nivelin e shkollimit dhe kanë filluar të gjallërojnë jetën arsimore, kulturore e artistike në Shkup. Është fakt se nuk është nivel i kënaqshëm por pas pak vitesh gjeneratat e reja të shqiptarëve apo fëmijët e këtyre që kanë mbaruar këto universite do të fillojnë të shkojnë të studiojnë nëpër universitetet më të mira shtetërore, regjionale e botërore dhe për pak dekada efektet pozitive të investimeve në arsim, kulturë, trashëgimi e art do të jenë të prekshme edhe në këtë vend.
Ndërsa ne preshevarët do të vazhdojmë të furnizojmë institucionet më të larta shkencore në Prishtinë, Shkup e Tetovë sepse diskriminimi ligjor shtetëror dhe harresa nga kryeqendrat e shqiptarëve tashmë ka filluar të japë efektet e një territori që dikur rriste njerëz me vlera siç na kanë dhënë epitetin nëpër shumë qendra shqiptare.
Me miqtë tanë u ndamë, duke shkruar numrat e njëri-tjetrit e duke lidhur kontaktet, që të takohemi në të ardhmen e afërt për bashkëpunime të ndërsjella nëpër evente të tjera kulturore.
Piktura nga: ADRIANA PULESHI "Çarshia e Vjetër në Shkup"