31/08/2026
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor
Drejtoria Komunale e Arsimit, Këshilli i Prindërve, Këshilli i Nxënësve dhe NSKAP, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, riafirmojnë përkushtimin e përbashkët për një mjedis shkollor të sigurt, të respektueshëm, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt mirëqenies dhe suksesit të çdo nxënësi.
Në këtë drejtim, theksojmë këto prioritete:
1. Mospërdorimi i telefonave në shkollë
Përdorimi i telefonave gjatë procesit mësimor dhe në hapësirat e shkollës nuk lejohet, përveç rasteve të arsyetuara dhe të autorizuara.
Ky rregull vlen njësoj për nxënësit dhe arsimtarët. Të rriturit në shkollë kanë përgjegjësi të veçantë për të qenë shembull i sjelljes që kërkojnë nga nxënësit. Qëllimi është krijimi i një mjedisi të përqendruar në mësim, komunikim të drejtpërdrejtë dhe respektim të procesit mësimor.
2. Respektimi i kodit të veshjes dhe kodit të etikës
Të gjithë pjesëtarët e komunitetit shkollor janë të obliguar të respektojnë kodin e veshjes dhe kodin e etikës, duke promovuar respektin, dinjitetin, tolerancën dhe sjelljen e përgjegjshme.
Rregullat duhet të zbatohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Nga të rriturit kërkohet standard i lartë profesional dhe etik, pasi shembulli i tyre është pjesë e edukimit të nxënësve.
3. Raportimi me kohë i mungesave
Arsimtarët dhe stafi përgjegjës duhet të sigurojnë evidentimin dhe njoftimin me kohë të prindërve/kujdestarëve për mungesat e nxënësve, në përputhje me procedurat e shkollës.
Përgjegjësia profesionale dhe komunikimi në kohë janë thelbësore për vijueshmërinë e rregullt dhe për identifikimin e hershëm të çdo vështirësie që mund të ndikojë te nxënësi.
4. Forcimi i komunikimit me prindërit
Mirëqenia e fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët e familjes, shkollës dhe institucioneve. Prandaj, kërkojmë komunikim të rregullt, të hapur dhe konstruktiv me prindërit, jo vetëm kur shfaqen probleme, por edhe për progresin, nevojat dhe sukseset e fëmijëve.
Çdo shqetësim që lidhet me mirëqenien, sjelljen apo përparimin e nxënësit duhet të trajtohet me seriozitet, diskrecion dhe në kohë.
Përgjegjësi e përbashkët, shembull i përbashkët!
Një komunitet i shëndetshëm shkollor ndërtohet kur rregullat respektohen nga të gjithë dhe përgjegjësia nuk kërkohet vetëm nga nxënësit.
Prindërit, arsimtarët, drejtuesit e shkollave dhe institucionet kanë detyrimin të krijojnë shembullin, standardin dhe mjedisin në të cilin nxënësit mësojnë jo vetëm nga ajo që u thuhet, por edhe nga ajo që shohin çdo ditë.
Ta fillojmë vitin e ri shkollor me respekt, përgjegjësi, komunikim dhe bashkëpunim, duke vendosur në qendër të çdo veprimi fëmijën, mirëqenien dhe të drejtën e tij për një arsim cilësor dhe një mjedis të sigurt e dinjitoz.
Drejtoria e Arsimit – Gjakovë
Këshilli i Prindërve-Linda Dula Halilabazi
Këshilli i Nxënësve-Ergisa Himaj
NSKAP - Zenun Nimani