20/04/2013
Përkundër që ishte e shtunë ditë vikendi, mbi 100 të rinjve kaçanikas nuk u pengoi që të dilnin dhe të pastronin qytetin e tyre. Që nga ora 10:00, të rinjtë kishin filluar të mblidheshin tek Shtëpia e Kulturës për të vazhduar pastaj të ndarë në grupe për të pastruar pjesë të ndryshme të qytetit.
Në këtë ditë të rëndësishme për ambientin e qytetit të Kaçanikut, ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Kaçanikut z. Besim Ilazi dhe nënkryetari Remzi Elezi, të cilët gjatë tërë kohës kanë shoqëruar të rinjtë në aktivitetin e tyre. Hapjen e këtij aktiviteti e bëri kryetari i Komunës së Kaçanikut, i cili i uroi të rinjtë për këtë ditë, me shpresë se çdo ditë e më shumë do të ngritet vetëdija tek qytetarët për të mbrojtur ambientin.
Me aksione pastrimi nga grupet e të rinjve ambientale, u pastrun këto hapësira:
Hapësirat rreth Shtëpisë së Kulturës, Bulevardi “ Ismajl Raka”, Shetitorja përgjatë Lumit Nerodime, Rruga “ Vëllezërit Qaka”, Stacioni i Autobusëve, tregu i qytetit, qerdhja e qytetit, hapësira e Gjimnazit “ Skenderbeu” dhe rruga përreth tij si dhe parku i qytetit.
Përveq grupit qendror të Ambientalistëve të Rinj, në këto aktivitete pastrimi ishin të involvuar edhe grupet e ambientalistëve nga Shkolla Fillore “ Emin Duraku”, Sh.F. “ Idriz Seferi”, Grupi i Ambientalistëve nga Gjimnazi “ Skenderbeu”, Grupi i Ambientalistëve nga Shkolla e Mesme Profesionale “ Feriz Guri dhe Vëllezërit Qaka”, ndërsa madhështinë e këtij aktiviteti e solli grupi i fëmijëve “ KVRL Junior” , vajzat e së cilit grup me shumë dashuri e buzëqeshje pastruan qerdhen e qytetit.
Grupi “ Piktorët e Rinj” përgatitën një ekspozitë me mesazhe mjaft domethënëse për ambientin në të cilin jetojmë. Pas përfundimit të aktiviteteve, të rinjtë u mblodhën tek Shtëpia e Kulturës, për të ndjekur koncertin në të cilin përformoi grupi “ Muzikantët e Rinj” të Komunës së Kaçanikut.
Këto aktivitete u organizuan për nder të 22 Prillit, ditës së tokës, në kuadër të projektit “ Java e kujdesit ndaj tokës” përpiluar nga grupi “ Ambientalistët e Rinj” në bashkëpunim me sektorin për rini në kuadër të Komunës së Kacanikut.
Të dielën do të pastrohet me ujë bulevardi “ Ismajl Raka” nga ana e zjarrfikësve, ndërsa të hënën do të organizohet marshi i të rinjve “ Një orë pa makina”.
Aktivitetet në kuadër të këtij projekti i ka përkrahur Komuna e Kaçanikut, Pro Credit Bank, Policia e Kosovës, Kompania “ Pastërtia”, Këshilli i Veprimit Rinor Lokal në Kaçanik me të gjitha grupet e veta.