12/03/2026
Ngjarjet e fundit në Universiteti Politeknik i Tiranës, lidhur me shkarkimin e ish-administratorit Besmir Ali, tregojnë vetëm majën e ajsbergut të problemeve strukturore që prej vitesh kanë prekur mënyrën e funksionimit të universitetit.
Në vend që universiteti të forcojë kapacitetet e veta akademike dhe institucionale, shpesh janë krijuar struktura dhe role të ndërmjetme, si koordinime apo drejtori që në disa raste kanë qenë të paqarta nga pikëpamja ligjore dhe institucionale. Këto mekanizma kanë çuar në fragmentim të përgjegjësive dhe në dobësim të rolit të strukturave akademike vendimmarrëse.
Një tjetër problem që duhet diskutuar hapur është praktika e nxjerrjes së shumë shërbimeve në tender për palë të treta, edhe në raste kur ato mund të realizohen shumë mirë nga vetë universiteti, me stafin dhe ekspertizën që ai ka. Kjo jo vetëm që rrit kostot, por edhe humb një mundësi për të investuar këto fonde në atë që duhet të jetë prioriteti i çdo universiteti:
• përmirësimin e ambienteve të mësimdhënies,
• pajisje laboratorike moderne,
• infrastrukturë kërkimore,
• dhe mbështetje reale për studentët dhe pedagogët.
Universitetet publike duhet të funksionojnë mbi parimin e transparencës, ligjshmërisë dhe forcimit të kapaciteteve të brendshme, jo mbi zgjerimin e strukturave burokratike apo varësinë nga shërbime të jashtme të kushtueshme.
Universiteti Politeknik i Tiranës ka potencial të jashtëzakonshëm akademik dhe profesional. Pikërisht për këtë arsye, është e rëndësishme që diskutimi për mënyrën se si administrohen institucionet tona akademike të jetë i hapur, i ndershëm dhe i orientuar drejt reformave reale.
.al
https://boldnews.al/2026/03/11/ministria-e-arsimit-gjeti-shkelje-te-renda-shkarkohet-besmir-ali-administratori-i-universitetit-politeknik-te-tiranes/