03/03/2016
Përpjekia për të legjitimuar krimin nën emrin “derbi”.
Nga Hëna Kastriota
Një klub futbolli ku drejtori sportiv thotë “duhet t’hapim shkresat e partisë ta nxjerrim datën fiks të krijimit tonë”, çfarë klub futbolli është? A je parti, a je ushtri, a je politikë, a je futboll, a je diktat, çfarë? Këto marrëzira ndodhin sigurisht vetëm në Shqipëri dhe shtetet simotra të saj. Atyre, të cilëve dikur na detyronin tu thonim “vëllezër” ose “motra”.
Marrim klubet e futbollit të Shkodrës, Tiranës, Durrësit, Korçës, Vlorës, Elbasanit etj, të gjitha pa dallim janë krijuar si shoqëri sportive nën kujdesien e qytetarëve. Pa asnjë dallim nga vendet perendimore. Ndërsa Partizani erdhi në arenën shqiptare me dhunë, diçka e jashtme, ideal lindor komunist. Një skuadër me urdhër nga lart e zbatim nga posht, me rrëmbime, plot frikë, pa sportivitet, a quhet skuadër? Ata shqiptarë me pak shtyllë kurrizore, por mbi të gjitha ata shqiptarë me traditë nuk e pranuan dot asnjëherë ideologjinë e tyre. As atëherë, as sot! Sepse ideologjia tyre ishte vrit, përça, e sundo.
E si mund të pranohet Partizani si klub, që më 2016 ende në logon e tij ka yllin e partisë? Si mund të pranohet Partizani si klub, që tifozët e tyre s’dinë çfarë janë a sportdashës apo guerrilsa? Këta ende më 2016 aspirojnë dhunë, luftë = guerra, akoma duan përçarje. Nuk u ngopën xhanëm për gjysëm shekulli? Si ta pranojmë Partizanin Titisto-Enverist si klub shqiptarë mbi të gjitha?
Nuk urrej tifozët e Partizanit, përkundrazi… më dhimbsen! Dua kaq shumë t’i ndihmoj sepse nuk kanë fuqinë të llogjikojnë historinë haptazi. Ta shohin historinë në sy ashtu siç e sheh gjithë bota, pra pa gënjeshtra. Mjaft më e panë historinë me mentalitetin Dullist, që zbukuronte dhe deformonte çdo gjë sipas interesave të partisë. Ju lutem, nëse vërtetë jeni shqiptarë, hapeni mendjen dhe zemrën për këshilla. Në të kundërt vazhdoni në rrugën anti-kombtare, që keni prej 70 vitesh.
Prandaj, tifozave të Partizanit u ka mbetur vetëm një rrugëzgjidhje. Ta pranojnë krijimin artificial të tyrin, pra një krijesë politike Titiste-Enveriste. Nga ana tjetër, të përqafojnë faktin se u krijuan si një klub gjithpësrfshirës dhe jo i Tiranës. Paçka se gjithpërfshirës asikohe nënkuptonte komunist sllavist. Kësisoj të ndërrojnë emrin, nëse dikur do duan ta kthenë gjithpërfshirësen në gjith-kombëtare. Duke hequr yllin e kuq nga stema përfundimisht ta shkëpusin veten nga politika dhe nga ideologjia lindore komuniste duke u bërë më kombtarë. Duke larguar një emër të huazuar si Partizani i Beogradit (4 tetor 1945), aq sa dhe datën Koçi Xoxe ua vuri Partizanit të këtejshëm 4 shkurt 1946, plot 4 muaj midis dy sivllezërve. Ndërrimi i emrit do t’i bënte dhe më gjith-kombtarë. Të mos aspirojnë më jetën maleve, por jetën evropiane. Le të vetquhen kombëtarët dhe jo armë-mbajtës guerrilsa. Ta shkëpusin pra njëherë e përgjithmonë veten nga politika vrastare përçarëse kështu do t’krenohemi me to, do t’i mbështesim pa kushte. Larg politika nga futbolli, nëse duan t’i marrim si klub futbolli, se shumë na kanë bërë lëmsh. Dhe jo të na vi turp se Shqipëria më 2016 ende në Evropë prezantohet me skuadra me emra të vdekurish. Kush do xhanëm t’i ngjallë gogolët e një sistemi uzurpues?
Le t’u japin ish lojtarëve të tyre respektin që meritojnë duke i falur mbas vdekjes së tyre një ekip që do t’ishin krenar. Lojtari më i madh i tyre Refik Resmja kur e morën nga Tirana ka pas thënë “Vetëm dëshira për futbollin na bënte të vazhdonim të luanim kur na detyruan të luanim me skuadrën e ushtrisë. Ime më më thonte: mos u mërzit bir, s’ke çfarë i bën, këta janë të qeverisë”. A nuk është për të vënë kujën? Loro Boriçin kur e morën gjasme për ushtri nga Vllaznia e Shkodrës dhe e detyruan të rrinte aty mëpastaj. Vitin e fundit të karrierës kërkoi ta lejonin të kthehej tek Shkodra, por jo. E dërguan tek klubi “Shkolla Bashkuar Enver Hoxha”, veç klub sportiv nuk qe.
Kur të bëni këto ndryshime njerëzore dhe patriotike atëhere mund ta quajmë derbi. Deri atëhere… një derb klasik njeh Shqipëria atë Shkodra-Tirana.